Sport

Ajaxi fiton ndeshjen e ndërprerë të 30 shtatorit

Ajaxi ka kaluar në vendin e gjashtë të “Eredivisies” holandeze pasi doli fitues në duelin ku kishin mbetur edhe gjashtë minuta.

Dueli mes Waalwijkut dhe Ajaxit, që të mërkurën në mbrëmje përfundoi 3:2, ishte ndërprerë më 30 shtator në minutën e 83-të, pas përplasjes që pati Brian Brobbey me portierin Etienne Vaessen. Portieri i Waalwijkut mbeti rëndë i lënduar. Kjo ishte ndeshje e mbetur e xhiros së shtatë.

Waalwijku në ndeshjen ku u vazhduan minutat e mbetur pati gjithë 11-shen që ishte në fushë në duelin e kaluar. Ndërkohë, Ajaxi zëvendësoi Jay Gorterin, Silvano Vosin dhe Ammouricho van Axel Dongenin, me portierin shqiptar, Diant Ramaj, Kristian Hlynsson dhe Benjamin Tahiroviq.

Në gjashtë minutat e mbetur, Waalwijku pati mundësi t’i barazonte shifrat në fundin e ndeshjes, por nuk ia arriti një gjëje të tillë.

Ajaxi në 14 ndeshje ka 21 pikë, 21 më pak se PSV Eindhoveni lider.

Waalwijku mbetet me 13 pikë në vendin e 14-të.

Ndërkohë, ndeshja tjetër ndërmjet AZ Alkmaarit dhe NEC Nijmegenit përfundoi 2:1 në të mirë të mysafirëve.

Edhe në këtë ndeshje kishin mbetur pesë minuta lojë.

Ishte ndërprerë pasi sulmuesi i Nijmegenit, Bas Dost, kishte kolapsuar në fushë dhe ndeshja nuk ishte vazhduar.