Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi do të jetë pika kryesore e Mallorcas në ndeshjen në udhëtim ndaj Real Sociedadit. Te Mallorca presin shumë nga Muriqi në këtë ndeshje, e cila luhet të shtunën prej orës 14:00 dhe i takon xhiros së 10-të të La Ligas spanjolle.
Muriqi në pesë ndeshjet e fundit kampionale ka shënuar katër gola dhe ka bërë dy asistime, ndërsa trajneri Javier Aguirre pret që sulmuesi të vazhdojë me këtë formë edhe ndaj Sociedadit.
Aguirre ka thënë se Muriqi është rikthyer më herët nga grumbullimi me Kosovën dhe ka pasur kohë të përgatitet me ekipin gjatë pushimit ndërkombëtar. Në fakt, Muriqi u grumbullua me Kosovën dhe u stërvit para ndeshjes me Andorrën, në të cilën nuk luajti për shkak të suspendimit.
Pas kësaj ndeshjeje, Kosova e ndërpreu grumbullimin pasi dueli me Izraelin i paraparë të luhej në Prishtinë, u shty nga UEFA për kohë të pacaktuar.
“Disa prej lojtarëve janë kthyer nga grumbullimi në gjendje fantastike. Muriqi është rikthyer më herët për shkak të suspendimit ndaj Andorrës dhe ka pasur kohë të përgatitet me ekipin”, ka thënë Aguirre.
Mallorca ka tubuar deri më tani nëntë pikë në kampionat, gjashtë më pak se Sociedadi që zë vendin e gjashtë në tabelë.