Ashtu siç pritej, Agron Kuka ka fituar besimin për të udhëhequr edhe një mandat me Federatën e Xhudos së Kosovës, bindshëm federatën sportive më të suksesshme në vend sa u takon rezultateve në skenën ndërkombëtare.
Kuvendi i Federatës së Xhudos së Kosovës është mbajtur të shtunën në Pejë, ku u zhvillua edhe kampionati i Kosovës për seniorë. Kuvendet e federatave po mbahen në prag të Asamblesë Zgjedhore të Komitetit Olimpik të Kosovës, që është më vonë këtë muaj. Disa federata pritet të caktojnë kuvendarë të rinj për Asamblenë e KOK-ut, ndërsa federatat me organe të reja futen në ciklin e ri olimpik.
Agron Kuka mund të mburret që në Bord e ka kampionen olimpike, Majlinda Kelmendi, dhe trajnerin e saj, Driton Kuka. Në të vërtetë, nxënësit e Driton Kukës kanë fituar krejt çka mund të fitohet në sportin e xhudos. Falë tyre, FXHK-ja është bindshëm federata sportive më e suksesshme në vend.
Nënkryetarë të FXHK-së janë zgjedhur Memli Krasniqi e Remzi Begu. Ndërsa në Bord të Federatës së Xhudos, pos Driton Kukës e Majlinda Kelmendit, do të jenë edhe Anton Cena, Shahin Behrami, Mustafë Veseli e Linda Cena.
Të shtunën, Kuvendin Zgjedhor e mbajti edhe Federata e Boksit e Kosovës. Boksi po ashtu ka suksese dhe mburret me traditën e pasur. Boksierët kosovarë kanë kryetar të ri. Enver Krasniqi ka fituar besimin e kuvendarëve për të udhëhequr me FBOXK në katër vjetët e ardhshëm. Deri më tani FBOXK ishte me ushtrues detyre të kryetarit, pas dorëheqjes së Ramadan Selimit.
Në Kuvendin e FBOXK-ut ishin 44 përfaqësues të 22 klubeve dhe delegatët e tri shoqatave. Zgjedhjet në federata pritet të kenë ndikim direkt në garën e fortë për president të KOK-ut. Të paktën katër kandidatë synojnë pozitën e të parit të KOK-ut.
Të shtunën u mbajt edhe Kuvendi Zgjedhor i Federatës Aeronautike të Kosovës. Me këtë federatë do të udhëheqë Avni Kuçi.
Kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, ka fituar besimin për të udhëhequr edhe një mandat me Federatën e Karlingut të Kosovës. Hasani pretendon të udhëheqë edhe një mandat edhe me KOK-un.