Kosova prej së premtes e ka përfaqësuesin e saj në nivelin më të lartë të Unionit Evropian të Xhudos. Kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, është zgjedhur të premten pasdite drejtor sportiv i EJU-së. Kuka po ashtu është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Unionit Evropian të Xhudos.
Xhudoja kosovare ka kohë që ka prekur nivelin më të lartë evropian sa i takon suksesit sportiv. Por deri më tani, nuk ka pasur përfaqësim të denjë në organet udhëheqëse të shtëpisë kontinentale të xhudos. Të premten kjo ka ndryshuar.
Agron Kuka mori pozitat e rëndësishme në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të EJU-së që u mbajt në Vjenë. Ai është pjesë e ekipit të presidentit të ri të EJU-së, hungarezit, Laszlo Toth. Pozita e sekretarit të përgjithshëm të EJU-së i është besuar austriakut Martin Poiger. Në Komitetin Ekzekutiv të EJU-së janë katër anëtarë që mbajnë pozitën e drejtorit sportiv. Ata janë përgjegjës për sektorë të ndryshëm. Njëri prej tyre është Agron Kuka.
Deri në fillim të luftës në Ukrainë, EJU-në e ka drejtuar rusi Sergey Soloveychik. Ai ka dhënë dorëheqje, ndërsa president i përkohshëm ishte gjermani Otto Kneitinger. Largimi i rusit Soloveychik ka hapur rrugën që i pari i xhudos kosovare të bëhet anëtar i Komitetit Ekzekutiv të EJU-së.
“Në kongres u konfirmua pozita ime e drejtorit sportiv dhe anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të Unionit Evropian. Kjo pozitë e ofruar nga presidenti i ri i EJU-së për mua natyrisht është privilegj i veçantë dhe përgjegjësi në sportin e xhudos”, ka thënë Agron Kuka të premten për KOHËN.
Ai tregon se pozita e rëndësishme është rezultat i të arriturave sportive të xhudos kosovare. Kosova tashmë është prej vendeve më të suksesshme evropiane në xhudo. Tri medaljet e arta olimpike e dëshmojnë këtë. Xhudistët kosovarë kanë fituar krejt çka mund të fitohet në këtë sport dhe po vazhdojnë ta bëjnë këtë. Dhe sukseset sa shkojnë e rriten.
“Sigurisht që ofertë ka ardhur si rezultat i punës serioze dhe rezultateve të jashtëzakonshme që janë arritur në Federatën e Xhudos së Kosovës. Kjo do të jetë edhe një dritare për ne, që së shpejti të na mundësohet të organizojmë ndonjë kampionat evropian në vendin tonë. Pozita sjell përgjegjësi të reja, por edhe shumë mundësi për mua dhe për xhudon kosovare në përgjithësi”, ka shtuar Agron Kuka.