Sport

I pari i xhudos kosovare, me pozitë shumë të rëndësishme në EJU

Agron Kukës i është besuar pozita e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të Unionit Evropian të Xhudos, përkatësisht pozita e drejtorit sportiv të EJU-së. Kjo do të zyrtarizohet në Kongresin e EJU-së, më 17 qershor. Ndërkohë në Komitetin Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës nuk është asnjë anëtar i Federatës së Xhudos së Kosovës, ndonëse xhudoja është sporti bindshëm më i suksesshëm në vend. Në KOK mburren me sukseset e xhudos, por vend për xhudistët në organin drejtues nuk ka

Ndryshimet e bëra në Unionin Evropian të Xhudos (EJU) kanë hapur dyert e kësaj organizate sportive edhe për drejtuesit e Federatës së Xhudos së Kosovës. Kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, do të marrë një pozitë me shumë rëndësi në EJU. Kuka do të zgjidhet drejtor sportiv i EJU-së, përkatësisht anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Unionit Evropian. EJU-ja i ka katër drejtorë sportivë, që mbulojnë sektorë të caktuar të punës në këtë organizatë të fuqishme sportive. Të gjithë janë anëtar të Komitetit Ekzekutiv dhe po ashtu të Komisionit për Sport.

Kuka është pjesë e ekipit të hungarezit Laszlo Toth, që është kandidati i vetëm për kryetar të EJU-së. Se ai do të marrë drejtimin e Unionin Evropian, e ka vlerësuar punë të kryer edhe EJU-ja. Vetëm pritet Kongresi i qershorit. Presidenti i përkohshëm i EJU-së, Otto Kneitinger, ka lavdëruar Tothin.

"Ai ishte person kyç në EJU për më shumë se 20 vjet dhe ka organizuar me sukses shumë ngjarje ndërkombëtare. Ai është afarist i njohur dhe ekspert financiar", ka theksuar Kneitinger.

EJU të mërkurën ka njoftuar për ardhjen e hungarezit Toth në postin e presidentit. Prej vitit 2007, EJU-në e ka udhëhequr rusi Sergey Soloveychik. EJU-ja ka qenë shumë më e mbyllur se Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) sa i takon Kosovës, ndonëse raportet mes dy palëve ishin korrekte. Por për shkak të ndikimit të madh rus, mbajtja e pozitave të rëndësishme në EJU nuk ishte e mundur për drejtuesit e xhudos kosovare, ndonëse këtë për shkak të rezultateve vlerësohet se e kanë merituar. Për shkak të luftës në Ukrainë dhe presionit të madh, Soloveychik më 27 shkurt dha dorëheqje.

Gjermani Kenitinger mori drejtimin e përkohshëm. Dhe kështu u hapën edhe më shumë dyert për xhudon kosovare. EJU-ja kishte hezituar ta pranojë Kosovën, ndonëse këtë e kishte bërë IJF-ja shumë herët. Por rezultatet kulmore të xhudistëve kosovarë e kanë bërë të veten dhe EJU-ja ishte detyruar për njohje të Kosovës. Kosova vjet ishte vendi më i suksesshëm në Kampionatin Evropian për seniorë, ndërsa në Lojërat Olimpike të Tokios ishte vendi më i suksesshëm evropian, sa u takon garave individuale. Sukseset kulmore në tatami dhe puna shembullore e FXHK-së asnjëherë nuk janë shpërblyer me pozita të rëndësishme në EJU për drejtuesit kosovarë. Dhe kjo po ndryshon tashmë.

Në fakt ka disa vjet që Driton Kuka është pjesë e Komisionit të Trajnerëve të EJU-së. Por Komiteti Ekzekutiv vlerësohet niveli më i lartë dhe është organ vendimmarrës i EJU-së, ku Kosova tashmë e ka vendin e merituar. Por xhudoja kosovare aktualisht nuk ka vend në Komitetin Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës. KOK-u mburret vazhdimisht me sukseset e xhudos, por nuk ka bërë vend për xhudistët në Komitetin Ekzekutiv, që është organi më i madh ekzekutiv. Ndër të tjera, xhudoja kosovare i ka siguruar Kosovës tri medalje të arta olimpike.

Në sportet tjera, Kosova nuk ka as norma, ndërsa medaljet duken shumë të largëta. Dhe hendeku i sporteve të tjera me xhudon kosovare sa shkon e rritet.

Image