Pronari i Chelseat, Roman Abramovich, po përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe tashmë ka mbërritur në Bjellorusi për të ndihmuar në bisedimet e paqes, është raportuar të hënën. Miliarderi Abramovich besohet se ka fluturuar në vendin e Evropës Lindore përpara bisedimeve të vështira mes zyrtarëve ukrainas dhe rusë që do të nisin më vonë sot. Biznesmeni 55-vjeçar, është nën presion pas pushtimit të Ukrainës nga forcat e Vladimir Putinit.
Dhe, ka pasur thirrje që ai të përballet me sanksione si një oligark i madh “me lidhje me shtetin rus”.
Abramovich mohon se ai është i afërt me Kremlinin dhe se nuk ka bërë asgjë për të merituar që t’i vendosen sanksionet kundër tij.
Të shtunën, në mes të presionit në rritje, Abramovich njoftoi planet për të dorëzuar administrimin e Chelseat. Tani, në një lëvizje befasuese, një zëdhënës i klubit zbuloi se biznesmeni ka qenë “duke u përpjekur të ndihmojë” në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje paqeje.
“Mund të konfirmoj se Roman Abramovich u kontaktua nga pala ukrainase për mbështetje në arritjen e një zgjidhjeje paqësore dhe se ai është përpjekur të ndihmojë që atëherë”, tha një zëdhënës i Chelseat.
Thuhet se Abramovich është tashmë në Bjellorusi, ku delegacionet nga Rusia dhe Ukraina do të takohen sot në qytetin kufitar Gomel. Ambasadori i Ukrainës në Izrael, Yevgen Kornichuk i tha faqes së lajmeve se nuk do të komentonte në mënyrë specifike përfshirjen e Abramovich në bisedime. Megjithatë, ai shtoi: “Ne e vlerësojmë këdo që mund të ndihmojë, nëse ai ka ndikim të mjaftueshëm”.
Edhe
Si u detyrua Abramovichi ta shesë Chelsean?
Përfshirja e Abramovichit thuhet se ka ardhur pas një kërkesë të producentit ukrainas të filmit Alexander Rodnyansky. Nuk janë dhënë detaje të mëtejshme për rolin e tij, megjithëse u pranua se ndikimi i tij është i kufizuar “Unë mund të konfirmoj se pala ukrainase është përpjekur të gjejë dikë në Rusi që është i gatshëm t'i ndihmojë ata në gjetjen e një zgjidhjeje paqësore. Ata janë të lidhur me Roman Abramovich përmes komunitetit hebre dhe iu drejtuan atij për ndihmë.
Abramovichi që atëherë është përpjekur të mobilizojë mbështetjen për një zgjidhje paqësore”, ka thënë Rodnyansky.
“Edhe pse ndikimi i tij është i kufizuar, ai është i vetmi që u përgjigj dhe mori përsipër të tentonte. Nëse kjo do të ketë ndikim apo jo, nuk e di, por unë jam në kontakt me stafin e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyt, dhe e di se ata janë mirënjohës për përpjekjet e tij të vërteta”.