Ish-trajneri i Lazios, Sven-Goran Eriksson ka zbuluar se është diagnostikuar me kancer dhe i ka mbetur pak më shumë se një vit jetë, ndonëse po mundohet të qëndrojë pozitiv.
Suedezi 75-vjeçar suksesin si trajner e ka shijuar në Itali gjatë viteve 1990, ku ishte trajner i Sampdorias dhe pastaj Lazios, ekip me të cilin e fitoi titullin e kampionit në edicionin 1999/2000.
Së fundmi, Eriksson ka punuar si drejtor sportiv tek ekipi i kategorisë së tretë suedeze, IF Karlstad, por që në shkurt të vitit të shkuar dha dorëheqjen për arsye shëndetësore.
“Të gjithë e kanë ditur se nuk jam mirë dhe në fund u konstatua se jam me kancer. Më duhet të luftoj sa të mundem dhe në skenarin më të mirë, e kam edhe një vit apo më shumë jetë”, ka thënë ndër të tjera Eriksson.
Gjatë karrierës së tij si trajner, Eriksson ka punuar edhe te Fiorentina e Roma, ndërsa në total ka regjistruar 437 ndeshje në Serie A. Ai gjithashtu ka qenë edhe te Benfica, Manchester City, Leicesteri dhe disa skuadra kineze. Ka qenë selektor i Anglisë, Meksikës, Bregut të Fildishtë dhe Filipineve.