Sigal Prishtina ka shënuar fitoren e parë këtë edicion në Ligën Ballkanike në basketboll (BIBL).
Të mërkurën mbrëma në kryeqytet, Prishtina triumfoi bindshëm ndaj Lovqenit të Cetinjes, me rezultat 96:65. Në fakt, Prishtina iu revanshua ekipit nga Mali i Zi për humbjen që ia shkaktoi më 22 nëntor, në ndeshjen e parë që e luajti në këtë garë në edicionin aktual.
Të mërkurën, skuadra e Prishtinës dominoi gjatë tërë ndeshjes ndaj Lovqenit, i cili e fitoi vetëm çerekun e tretë, 25:22. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme për të evituar disfatën e thellë.
Prishtina e nisi mirë ndeshjen duke e fituar çerekun e parë 25:18 dhe të dytin me rezultat 27:16. Shkoi në pushim me një epërsi prej 18 pikësh.
Shkëputjen e madhe në rezultat, Prishtina e bëri në periudhën e fundit në të cilën ndali Lovqenin në vetëm 6 pikë të realizuara, ndërsa shënoi 22 pikë për ta mbyllur ndeshjen me dallim të madh.
Kapiteni Dardan Berisha ishte më i dalluari te Prishtina. Ai ndeshjen e mbylli me 27 pikë të shënuara. Lojë të mirë treguan edhe Shaheed Davis, Fisnik Rugova e Derrick Wilson. Davis i kishte 18 pikë, shtatë kërcime e dy asistime. Wilson kontribuoi me 11 pikë, shtatë kërcime e gjashtë asistime. Ndërsa Rugova realizoi 13 pikë e tetë kërcime.
Liga Ballkanike ka humbur thuajse plotësisht vlerën. Për edicionin aktual mezi u bënë katër skuadra për të nisur garën. Pos Prishtinës e Lovqenit, garën e nisën Plevla e Malit të Zi dhe AEL-i i Qipros. Ndërkohë, Akademik Plovdivi i Bullgarisë vetëm është shtuar në tabelë për këtë edicion por që ende nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje.
Ky është edicioni i 16-të i Ligës Ballkanike, e cila vitet e fundit ishte shumë e dyshuar për kurdisje. Edhe duelin e luajtur në Prishtinë, sikurse atë në Cetinje, e drejtoi arbitri që deri në muajin gusht të këtij viti ishte i dënuar nga FIBA, Ognjen Jokiq.
Ndeshjen e radhës në BIBL, Prishtina e ka më 12 dhjetor kundër Plevlës. Nuk ka termine të caktuara për ndeshjet me skuadrën qipriote dhe atë bullgare.
Në Kosovë ka dyshime të mëdha për rregullsinë e Ligës Ballkanike. Madje FBK-ja shumë më herët ka “shkëputur” kontaktet me këtë ligë. Por ka aprovuar kërkesën e Sigal Prishtinës për të garuar në BIBL. FBK-ja nuk ka dhënë ndonjë njoftim për ndeshje e Prishtinës në këtë ligë.