Liverpoolit i ka takuar fitorja në ndeshjen dramatike kundër Fulhamit. Kjo ndeshje e zhvilluar të dielën u mbyll me rezultatin 4:3 në të mirë të ekipit të drejtuar nga Jurgen Klopp. Dueli i takoi javës së 14-të të Premier Leagues angleze.
Liverpooli kaloi në epërsi në minutën e 20-të me autogolin e Bernd Lenos. Por, katër minuta më vonë, Fulhami barazoi shifrat në 1:1 nëpërmjet Harry Wilsonit.
Liverpooli sërish në minutën e 38-të ktheu epërsinë me golin e Alexis Mac Allisterit, derisa në minutën e tretë të kohës shtesë të pjesës së parë, Fulhami barazoi sërish me Kenny Teten.
Dhjetë minuta pa përfunduar takimi, Fulhami kaloi në epërsi me golin e Bobby De Cordova-Reidit.
Festa e lojtarëve të Fulhami zgjati shkurt. Liverpooli shënoi më pas dy gola për ta fituar takimin. Fillimisht për 3:3 realizoi Wataru Endo në minutën e 87-të, ndërsa fitoren Liverpoolit ia siguroi Trent Alexander-Arnold në minutën e 88-të. Liverpooli ka 31 pikë nga 14 ndeshje, kurse Fulhami 15 pikë.