Sport

Shqipëria në “grup të vdekjes” në “Euro 2024”

Descriptive Text

Spanja, Kroacia dhe Italia do të jenë kundërshtaret e Shqipërisë në Evropianin e vitit të ardhshëm, në atë që tashmë ka marrë epitetin e “grupit të vdekjes”. Shqipëria do të jetë në Grupin B, pas shortit të tërhequr të shtunën në Hamburg të Gjermanisë.

“Kuqezinjtë” ishin në vazon e dytë, por kundërshtarët e Evropianit janë të nivelit më të lartë të mundshëm. Spanja është tri herë fituese e kampionatit kontinental. Kroacia është nënkampione e Botës, ndërsa Italia, që me vështirësi siguroi kualifikimin në “Euro 2024”, është fituese në fuqi e Evropianit. Italia ka triumfuar edhe një herë tjetër në vitin 1968.

Ndërkohë, Shqipëria do të jetë pjesëmarrëse në Evropian për herën e dytë. Debutoi në Evropianin 2016 që u organizua në Francë.

Përzgjedhësi brazilian i Shqipërisë, Sylvinho, i cili ishte arkitekti i këtij suksesi madhor të “kuqezinjve”, vlerësoi se grupi është i vështirë dhe do të ketë sfida shumë të bukura.

“Kam punuar në Itali, por kam luajtur edhe në Spanjë dhe i njoh mirë. Do të jenë sfida shumë të bukura”, ka thënë Sylvinho fillimisht. Ai ka shtuar se në Evropian, Shqipëria nuk do të shkojë e dorëzuar.

“Do të shkojmë në turne për të treguar forcën tonë. I njoh mirë Spanjën dhe Italinë, i njoh këto ambiente. Janë dy skuadra të forta të cilat janë mësuar të luajnë në turne të tillë. Do të jetë vështirë, por do të jetë bukur për të luajtur këtu. Gjitha grupet janë të forta por edhe grupi jonë është shumë i fortë. Do të provojmë forcën tonë, do të provojmë gjitha shanset tona”, deklaroi Sylvinho.

Shqipëria e nis Evropianin më 15 qershor kundër Italisë. Ky ballafaqim do të luhet në “Westfalenstadion” të Dortmundit.

“Do të mund të shkonte më mirë, por ne ishim në vazon e katërt. Dhe kurrë mos harroni. Ne jemi Italia”, ka thënë selektori i Italisë, Luciano Spalletti për “RAI Sport” pas shortit.

“Është vështirë të bëjmë parashikime sepse ka edhe shumë muaj para. Shqipëria ka treguar se është shumë mirë e organizuar. Gjithçka do të vendoset nga momenti, përgatitjet që do t’i bëjmë dhe se si do të punojmë së bashku. Kroacia është e fortë, skuadër me eksperiencë. Disa prej lojtarëve të saj janë në nivelin më të lartë”, theksoi Spalletti.

Më 19 qershor Shqipëria ballafaqohet me Kroacinë. Do të luajë në Hamburg, në “Volksparkstadion”.

“Është grupi më i vështirë. Luajmë kundër kampiones në fuqi, Italisë, fituesit në fuqi të Ligës së Kombeve, Spanjës, dhe ne jemi të tretit e botës. Për këtë është grupi më i vështirë. Ndeshja e parë kundër Spanjës në Berlin do të jetë spektakël. Kemi kundërshtarë të vështirë”, ka theksuar selektori i Kroacisë, Zlatko Daliq. Ai ka folur edhe për Shqipërinë dhe e ka vlerësuar atë.

“Italianët janë kampion Evrope, kanë kualitet. Ne e kemi studiuar Shqipërinë shumë. Ka qenë shumë mirë në kualifikime. Ndeshja e tretë kundër Italisë mund të jetë vendimtare. Besoj se do të jemi në formë të mirë fizike. Kjo është gjëja më e rëndësishme për mua. E dimë synimin tonë, i cili është kalimi i grupit”, ka shtuar Daliq.

Fazën grupore, Shqipëria do ta mbyll më 24 qershor në “Merkur Spiel-Arena” të Duesseldorfit. Do të takohet me Spanjën.

“Nëse nuk është grupi më i vështirë, është një prej më të vështirëve. Është një grup ku do të na kërkohet të jemi vetvetja, me formën më të mirë, dhe gjithmonë në përpjekje për të dhuruar imazh të mirë”, ka thënë selektori i Spanjës, Luis de la Fuente.

“Italia është kampione e Evropës. Kroacia gjithmonë avancon deri në fund edhe pse nuk është në formën më të mirë, ka arritje historike. Dhe nuk duhet ta harrojmë Shqipërinë, të parën në grupin e vet. Asnjë skuadër nuk dëshiron të luajë kundër Italisë. Është skuadër e madhe. Kroacinë e njohim nga finalja e Ligës së Kombeve. Ka arritur rezultate spektakolare dhe ka lojtarë të mëdhenj”, ka thënë De la Fuente pasi mësoi kundërshtarët të shtunën.

Ky do të jetë edicioni i 17-të i Kampionatit Evropian.

Nikoqirja Gjermania, është në Grupin A me Skocinë, Hungarinë dhe Zvicrën.

Në Grupin C janë Sllovenia, Danimarka, Serbia dhe Anglia.

Fituesi i plejofit A, do të jetë në Grupin D bashkë me Holandën, Austrinë dhe Francën.

Belgjika është në Grupin E me Sllovakinë, Rumaninë dhe fituesin e plejofit B.

Ndërkohë, Grupin F e përbën Turqia, Portugalia, Republika e Çekisë, dhe fituesi i plejofit C.

“Euro 2024” do të nis më 14 qershor dhe mbaron më 14 korrik. Finalja do të luhet në “Olympiastadion” të Berlinit. Dhjetë qytete gjermane do të jenë nikoqire të ndeshjeve.

Dy vendet e para të secilit grup kalojnë në fazën nokaut, bashkë me katër skuadrat më të mira të vendeve të treta.


Grupi A:

1. Gjermania (nikoqire)
2. Skocia
3. Hungaria
4. Zvicra

Grupi B:

1. Spanja
2. Kroacia
3. Italia
4. Shqipëria 

Grupi C:

1. Sllovenia
2. Danimarka
3. Serbia
4. Anglia

Grupi D:

1. Fituesi i plejofit A 
2. Holanda
3. Austria
4. Franca

Grupi E:

1. Belgjika 
2. Sllovakia
3. Rumania
4. Fituesit i plejofit B

Grupi F:

1. Turqia
2. Fituesi i plejofit C
3. Portugalia
4. Çekia