Benfica ka shënuar fitore të vështirë në sekondat e fundit ndaj Dobovecit, në ndeshjen e parë të “Elite Round” të Ligës së Kampionëve në futsall. Ndeshjet e Grupit B po organizohen në “Pallatin e Sportit” në Prishtinë, dhe dramë pati që në fillim. Benfica portugeze të mërkruën mposhti Dobovecin slloven me rezultatin 4:3. Të parët në epërsi kaluan portugezët me Diego Nunesin. Ai realizoi në minutën e parë. Shifrat i dyfishoi Afonso Jesus në minutën e 12-të.
Megjithatë, sllovenët u kthyen në lojë me dy gola brenda dy minutash. Patrik Pasariçek realizoi në minutën e 23-të, kurse Klemen Dushçak barazoi në 2:2, një minutë më pas. Në minutën e 26-të, Benfica e shënoi edhe një tjetër gol për 3:2. Realizator i golit të epërsisë ishte Gonçalo Sobral. Kampioni i Sllovenisë sërish nuk u dorëzua dhe barazoi shifrat në 3:3 me Zhiga Çeh. Megjithatë, Diego Nunes, tetë sekonda para se të mbyllej i gjithë takimi, realizoi nga afërsia pas një aksioni mirë të ndërtuar. Me këtë fitore tani Benfica ka tri pikë në Grupin B. Ndeshjen e radhës e luan kundër Kairat Almatyt, më 30 nëntor. Benfica dhe Kairat Almaty në të kaluarën, kanë qenë fitues të Ligës së Kampionëve. Vetëm fituesi i grupit kalon tutje, përkatësisht në gjysmëfinale të garës.