Sport

Djali i Jamesit në gjendje stabile, pas arrestit kardiak në stërvitje

Bronny James, i biri i superyllit të NBA-së, LeBron James, është hospitalizuar pas arrestit kardiak që e pësoi gjatë pjesëmarrjes në stërvitje me ekipin e kolegjit të Karolinës Jugore (USC), ka njoftuar zëdhënësi i familjes të martën.

Zëdhënësi tha se stafi mjekësor e trajtoi 18-vjeçarin Bronny James në palestër dhe se ai u dërgua në një spital. Gjendje e basketbollistit të ri ishte e qëndrueshme pasi doli nga reparti i kujdesit intensiv.

Bronny është djali i madh i Jamesit dhe kolapsoi në parket përpara se të dërgohej me urgjencë në spital. Familja e superyllit James, nëpërmjet zëdhënësit të saj, ka kërkuar që mos të shqetësohet për këtë situatë dhe ka bërë të ditur se do t’i njoftojë mediat për çdo gjë rreth gjendjes së Bronnyt, i cili njoftohet se aktualisht është mirë. Po ashtu, familja ka falënderuar shumë stafin mjekësor që u kujdes për të birin e tyre.

"Ne kërkojmë respekt dhe privatësi për familjen James dhe ne do të përditësojmë mediat duke i njoftuar për të gjitha të rejat kur të ketë më shumë informacion”, tha zëdhënësi. “LeBron dhe Savannah dëshirojnë të dërgojnë publikisht falënderimet dhe vlerësimin e tyre më të madh për stafin mjekësor dhe atletik të USC për punën e tyre të jashtëzakonshme dhe përkushtimin ndaj sigurisë së sportistëve të tyre”.

Edhe ekipi i djalit të Jamesit ka konfirmuar kolapsimin e papritur në stërvitje dhe ka kërkuar që mos të shqetësohet nga mediat, duke mos dhënë informacione të tjera.

Nuk është njoftuar nëse Bronny do të jetë në gjendje të kthehet në stërvitje apo edhe të luaj basketboll pas arrestit kardiak.

18-vjeçari këtë vit iu bashkua kolegjit të Karolinës Jugore, ndërsa më herët është vlerësuar ndër basketbollistët e rinj të cilët pritet të kenë të ardhme të ndritur në sport. Ai ishte njëri prej lojtarëve më të vlerësuar në shkollën e mesme, përpara se në muajin maj të bënte të ditur se do ti bashkohet kolegjit të Karolinës së Jugut.

Babai i tij, LeBron James vlerësohet ndër basketbollistët më të mirë në histori të NBA-së, ligës më të fortë në botë. James aktualisht është pjesë e skuadrës Los Angeles Lakers, ndërsa karrierë ka bërë edhe te Cleveland Cavaliers e Miami Heat. Ai ka katër tituj të fituar në NBA. Krahas Bronnyt, James ka edhe dy fëmijë tjerë, djalin Bryce Maximus dhe vajzën Zhuri Nova.