Ndeshjet evropiane të Ballkanit dhe Dukagjinit do të luhen në “Fadil Vokrri”. Kështu ka njoftuar FFK-ja të premten pasdite. Ballkani i Suharekës të martën takohet me Ludogoretsin bullgar në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Deri të premten pasdite Ballkani nuk e ka ditur se ku do ta zhvillojë ndeshjen. Kjo pasi fusha në “Fadil Vokrri” është goxha e dëmtuar. Klubi suharekas për këtë arsye e kishte të pamundur të niste përgatitjet për ndeshje. Madje kishte reaguar dy herë përmes komunikatave.
Të enjten një inspektor i UEFA-s ka inspektuar fushën në “Fadil Vokrri” dhe të premten u njoftua se dy ndeshjet evropiane, megjithatë do të luhen në Prishtinë. Të enjten e ardhshme në kualifikimet e Ligës së Konferencës paraqitet Dukagjini i Klinës.
Fusha e stadiumit në Prishtinë do të vazhdojë të jetë e ngarkuar. Pas dy javësh aty paraqitet Gjilani e më pas edhe Drita.
“Pas monitorimit dhe vlerësimit të fushës nga eksperti i UEFA-s u vendos që ndeshja Ballkani - Ludogorets, në kuadër të rrethit të parë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve, më 11 korrik, dhe ajo Dukagjini - Europa, në kuadër të Ligës së Konferencës, më 13 korrik, të zhvillohen në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Pas këtyre dy ndeshjeve, eksperti i UEFA-së së bashku me ekipin e mirëmbajtjes së stadiumit do të punojnë për t’u rikuperuar edhe më tutje fusha, e cila ka pësuar dëmtime kohët e fundit”, ka njoftuar FFK-ja.
Federata ka ftuar klubet që stërvitjet zyrtare, ato para ndeshjeve, t’i zhvillojnë në fusha të tjera apo edhe në Kampin Nacional në Hajvali. Por nuk dihet nëse një gjë të tillë do ta pranojnë klubet mysafire. Zhvillimi i një stërvitjeje në stadiumin ku luhet ndeshja është i garantuar për skuadrat mysafire.
“Duke pasur parasysh se në këtë periudhë është e pamundur të intervenohet në ndërrimin e barit dhe as në zëvendësimin e tij, dhe meqenëse në këtë stadium do të zhvillohen edhe ndeshjet zyrtare të Kombëtares A, Kombëtares U21 dhe të Kombëtares së vajzave, është e nevojshme që fusha të jetë sa më pak e ngarkuar në gjendjen aktuale. FFK-ja do të vazhdojë të monitorojë gjendjen e fushës dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ta rikuperuar atë sa më mirë. Shpresojmë që skuadrat tona të na dhurojnë emocione dhe të hedhin hap të rëndësishëm drejt kualifikimit tutje”, ka shkruar tutje Federata e Futbollit.
FFK-ja ka kërkuar kujdes nga klubet e futbollit, por nuk e ka përmendur faktin që e ka lëshuar stadiumin edhe për mbrëmje boksi dhe për koncert, gjatë muajit gusht. Gushti po ashtu pritet të jetë i ngarkuar me ndeshje të skuadrave të futbollit në Evropë, por dy terminë të rëndësishëm në “Fadil Vokrri” tashmë janë rezervuar për meçin e Haxhi Krasniqit dhe koncertin e djalit të kryetarit të FFK-së, Agim Ademi.
Me të konfirmuar stadiumin, klubi kampion, Ballkani, ka nxjerrë në shitje biletat për ndeshjen me kampionin bullgar, Ludogorets.