Drita e Gjilanit e ka barazuar rezultatin e serisë finale të plejofit të elitës së volejbollit të Kosovës në konkurrencën e femrave.
Drita të premten mbrëma fitoi në udhëtim te Skenderaj me rezultatin 3:0 në sete. Ndeshja u luajt në palestrën e stërmbushur “Ilaz Kodra” në Skenderaj. Kështu kampioni i ri do të vendoset në Gjilan. Dhe gjilanaset janë optimiste se do të vazhdojnë dominimin në volejbollin kosovar.
Rezultati pas katër ndeshjeve është i barabartë, 2:2. Skenderaj fitoi dy ndeshjet e para, por Drita reagoi në dy ndeshjet tjera. Tani është në pozitë që ta përmbysë plotësisht rezultatin dhe ta sigurojë titullin e kampionit.
Gjilanaset e mbyllën takimin e së premtes për rreth një orë e dhjetë minuta. Setin e parë e fituan me rezultatin 25:16. Seti i dytë ishte më i barabartë, por sërish në momentet vendimtare, Drita shfaqi më shumë dhe fitoi me rezultatin 25:23.
Në setin e tretë, Drita triumfoi pa telashe, 25:17, për ta dërguar serinë finale në ndeshjen e pestë.
Ndeshja e pestë do të zhvillohet në palestrën “Bashkim Selishta-Petriti” në Gjilan, të dielën.
Skenderaj ka shpresuar të festojë të premten, por mbushja e palestrës më shumë i ka kryer punë Dritës.
“Kemi pritur të barazojmë serinë në 2:2. Ditë më parë e fituam ndeshje e tretë dhe suksesi në ndeshjen e katërt ishte detyrë e padiskutueshme. Fitorja e kaluar na hapi dyert për të vazhduar garën dhe sot ishte kapitulli tjetër. I jemi përmbajtur strategjisë dhe kemi zbatuar atë që dimë për lojën e kundërshtarit”, ka thënë Venera Kadriu, volejbolliste e Dritës.
“Skenderaj ishte në presion pasi që nuk ka besuar se e ka të sigurt titullin e kampionit. Mendoj se tani Skenderaj është edhe më shumë në disavantazh në aspektin psikik. Kjo edhe për shkak të paraqitjes sonë të rregullt në finale. Në ndeshjen e pestë i përmbyllim gjërat që i kemi mësuar dhe i kemi përsosur. Jemi shumë të qeta mentalisht. Qetësia na ka munguar në ndeshjet e para. Besoj se e kemi në dorë çështjen e titullit pasi e kemi studiuar shumë mirë kundërshtarin”, ka shtuar Kadriu.