Sport

Guardiola dhe Ancelotti kanë një shqetësim të përbashkët

Trajnerët e Manchester Cityt dhe Real Madridit, ekipeve që do të përballen në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, kanë një hall të përbashkët. Si Pep Guardiolan, ashtu edhe Carlo Ancelottin i shqetëson lodhja e lojtarëve. Dy strategët po shqetësohen për orarin e ngjeshur të ndeshjeve, që përfshinë përballjet mes vete.

Ndeshja e parë gjysmëfinale mes Real Madridit dhe Manchester Cityt zhvillohet më 9 maj në “Santiago Bernabeu” kurse ajo e kthimit pas një jave në “Etihad Stadium”. Megjithatë, asnjëri prej trajnerëve të premten nuk ka folur për këto përballje, pasi janë të fokusuar te ndeshjet e vikendit.

Pas katër eliminimeve rresht në gjysmëfinale të Kupës FA, Guardiola shpreson se lojtarët e tij mund ta përballojnë Sheffield Unitedin të shtunën, pas një serie të ngjeshur të ndeshjeve që i kanë pasur. City këtë edicion po lufton në tri fronte. Është në garë për ta mbrojtur titullin e kampionit në Premier League. Pak ditë pas duelit me Sheffieldin, mesjavën e ardhshme, City do të përballet me Arsenalin, ndeshje kjo që mund të vendos për titull në Premier League. Arsenali është lider i kampionatit anglez.

“Shpresoj që mund ta kalojmë këtë herë gjysmëfinalen e Kupës FA. Sezonin e kaluar mbërritëm këtu, saktësisht tre ose katër vjetët e fundit, dhe nuk dolën mirë. Arsye për këtë ishte lodhja e lojtarëve, e cila më shqetëson edhe tani”, pranoi Guardiola. “Çerekfinalja e Ligës së Kampionëve është shumë e lodhshme dhe ne duhet të rikuperohemi. Çdo sezon kam ndjenjën se nuk jemi fizikisht gati, shpresoj se këtë herë jemi”.

Edhe trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti u ankua për kalendarin e ngjeshur dhe këmbënguli se diçka duhet të ndryshojë për të mbrojtur lojtarët. Reali mundi Chelsean këtë javë për të arritur në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve dhe ndeshjen e parë ndaj Cityt do ta luajnë tri ditë pas finales të Kupës së Spanjës kundër Osasunas.

“Kalendari është shumë i ngjeshur dhe kjo nuk ka kuptim”, tha Ancelotti. “Ka shumë ndeshje dhe duket se askush nuk po mendon për lojtarët. Si La Liga ashtu edhe UEFA e FIFA po mendojnë vetëm për veten. Nuk është një rrugë e mirë për futbollin, diçka duhet të ndryshojë, ka shumë ndeshje”.

Pavarësisht se finalja e kupës është afër, më 6 maj, dhe Manchester City viziton Madridin më 9 maj, Ancelotti tha se nuk do të bëjë ndryshime në ekip mes ndeshjeve. Ai tha se është i detyruar të vazhdojë me formacionin e njëjtë.

“Mendoj se mund të përdor të njëjtët lojtarë, pasi ajo që duhet të ndryshojë është rutina që kemi pas ndeshjeve”, shtoi italiani. “Nuk jam i shqetësuar për këtë sa jam për lodhjen e lojtarëve dhe orarin e ngjeshur”.

Ndeshjen e radhës Reali e luan në kampionat. Të shtunën e pret skuadrën e Celta Vigos në kuadër të xhiros së 30-të të La Ligas.

Reali ka humbur hapin në garën për titullin e kampionit. Renditet i dyti në tabelë me 62 pikë, 11 më pak se Barcelona.