Sport

Ancelotti kthehet në stadiumin ku la gjurmë të pashlyeshme

Carlo Ancelotti

Para dy javësh pronari i Chelseat, Todd Boehly, i telefonoi ikonës së londinezëve, Frank Lampardit. I kërkoi që të kthehej dhe të përpiqej të ruante ekuilibrin, me ekipin në rënie e sipër.

Në rrethana të tjera do të mund të ishte trajneri nga Italia, Carlo Ancelotti, që do të telefonohej nga biznesmeni amerikan. Në vend të kësaj, Ancelotti kthehet në “Stamford Bridge” si kundërshtar, duke drejtuar Real Madridin në ndeshjen e dytë çerekfinale të Ligës së Kampionëve që luhet të martën mbrëma.

Ishte presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ai që e ktheu italianin për një periudhë të dytë në krye të ekipit, pasi Zinedine Zidane u largua në vitin 2021. Reali i Ancelottit me një këmbë është në gjysmëfinale të Championsit pasi në duelin e parë, të luajtur javën e shkuar në Madrid, triumfoi 2:0. Karim Benzema dhe Marco Asensio shënuan golat e fitores, ndonëse Reali ka mundur ta mbyllë ndeshjen edhe me më shumë gola të realizuar sikur të shfrytëzonte të gjitha rastet.

Në anën tjetër të fushës, në mbrojtje, dyshja e dikurshme e Chelseat, Thibaut Courtois dhe Antonio Rudiger, bënë pritje dhe bllokime të rëndësishme për ta lënë skuadrën e Lampardit duarbosh.

Kthimi i Ancelottit në Chelsea ngjall kujtime të ngrohta të një prej skuadrave më të mira të Premier Leagues, të cilën ai e udhëhoqi drejt dy trofeve të para të klubit në Angli, titullin e kampionit dhe Kupën FA në vitin 2010. Skuadra e Chelseat që drejtohej nga Ancelotti kishte lojtarë të mëdhenj në fushë, përfshirë Didier Drogban, John Terryn, Michael Ballackun dhe vetë Lampardin. Ata fituan me rezultatet 7:0, 7:1 dhe 8:0 në “Stamford Bridge” teksa ecnin drejt lavdisë së futbollit anglez. Lojtarëve aktualë të Chelseat u mungojnë lidershipi dhe cilësia e atij grupi, gjë që u zbulua në disfatën e pësuar në Madrid.

“Jam i trishtuar, po”, tha Ancelotti kur u pyet për rënien e Chelseat. “Kam një kujtim fantastik nga ky klub, nga njerëzit që ende punojnë atje. Unë jam një mbështetës i Chelseat, sigurisht, sepse kam kaluar dy vjet shumë të bukur atje. Unë mendoj dhe shpresoj se Lampardi do të jetë në gjendje të bëjë një punë fantastike me ekipin”.

Ishte kjo një deklaratë bujare nga Ancelotti, por italiani do të shpresojë që Lampardi të mos jetë aq madhështor të martën. Ancelotti u la i lirë nga pronari i atëhershëm i Chelseat, Roman Abramovich në vitin 2011, duke i dhënë fund periudhës së tij të shkurtër, por të paharrueshme dyvjeçare në krye të londinezëve. Reali po synon ta përmirësojë rekordin në Champions me trofeun e 15-të në histori, por edhe ta mbrojë titullin e fituar sezonin e shkuar kur e mposhti në finale Liverpoolin. Krahas suksesit në Ligën e Kampionëve, Ancelotti e ndihmoi Real Madridin sezonin e shkuar për ta kthyer titullin e kampionit të Spanjës. Ashtu si Zidane para tij, edhe Ancelotti po tregon se menaxhimi i shkëlqyer është aftësi jetike për trajnerët e Realit.

“Unë jam 'fantastik' në menaxhim, por ka gjëra të tjera sepse ky ekip është i stërvitur mirë”, tha Ancelotti. “Nëse fitojmë Kupën e Mbretit, do të kemi fituar çdo titull të mundshëm brenda dy vjetësh”.

Ancelotti i ka mbajtur lojtarët e skuadrës, si Dani Ceballos, Nacho Fernandez dhe Asensio, të uritur dhe të dobishëm. Ish-ylli i Chelseat, Eden Hazard, ka mbetur një prezencë në hije dhe ish-tifozët e tij do të shpresojnë të mos e shohin të martën në fushë. Nëse belgu shfaqet, kjo do të thotë se Real Madridi ka arritur progres dhe lojtarët kryesorë po pushojnë.

63-vjeçari Ancelotti e ka ngritur trofeun gjashtë herë, dy herë si lojtar dhe katër herë si trajner, së fundmi duke vërejtur se po i afrohet ndeshjes së 1300-të si trajner. Përvoja dhe stabiliteti i tij janë në kontrast të plotë me projektin e rastësishëm të Chelseat dhe të martën këto aftësi mund ta ndihmojnë italianin të nxjerrë në pah humnerën e një klubi në të cilin ka lënë trofe dhe kujtime të mira.