Sport

Agim Ademi në arrest shtëpiak për 30 ditë

Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar të enjten kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për të caktuar këtë masë. Kreu i FFK-së është i dyshuar për “keqpërdorim të besimit” dhe “shmangie nga tatimi”.

Ademi për në gjykatë të enjten u shoqërua me ambulancë, pasi kaloi natën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për

caktimin e masës së arrestit shtëpiak për të pandehurin A.A. e ka aprovuar dhe të njëjtit ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji. Në rast të mosrespektimit të kësaj mase, të pandehurit A.A. do t’i zëvendësohet kjo masë me masën e paraburgimit”, shkruan në komunikatën për media të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Sipas komunikatës, gjyqtari i procedurës parapake konstaton se në bazë të provave plotësohet kushti i përgjithshëm ligjor për caktimin e masës së arrestit shtëpiak.

“Kundër këtij aktvendimi palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, shkruan në njoftim.

Kryetarit të Federatës më të madhe sportive në vend, Agim Ademi, të mërkurën i ishte caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Pak kohë pas vendimit për ndalim, Ademi kërkoi ndihmë mjekësore dhe ajo i është dhënë në Klinikën Emergjente.

Masa e arrestit shtëpiak për një muaj për Ademin vjen dy ditë para se Kosova ta luajë ndeshjen e parë kualifikuese për “Euro 2024”. Përfaqësuesja të premten udhëton për në Tel-Aviv, ku të shtunën mbrëma luan ndaj Izraelit.

FFK-ja të mërkurën ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme në hotelin ku po qëndrojnë edhe futbollistët e Kosovës. Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Taulant Hodaj, ka thënë se do të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë. Ai ka theksuar se FFK-ja do të jetë transparente dhe vazhdimisht në kontakte me UEFA-n e FIFA-n. KOHA i ka shkruar UEFA-s, por nuk ka marrë përgjigje.

Intervistimi i zyrtarëve të FFK-së në fakt ka nisur të martën. Policia nuk ka njoftuar se cili zyrtar është intervistuar, por KOHA ka mësuar se bëhet fjalë për zyrtarin e financave, Agim Gashi.

Në prill të vitit të kaluar kishte nisur një hetim pas dyshimeve për evazion fiskal, shmangie të detyrimeve tatimore dhe keqpërdorim të fondeve të FFK-së. Zyrtarë të rendit kishin vizituar edhe Departamentin e Sportit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të hetuar pas dyshimeve që kishin të bënin me FFK-në.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ditë më parë u lirua nga akuzat për një rast që nuk ishte i lidhur me futbollin. Ai tani detyrohet të qëndrojë në shtëpi dhe nuk do ta ketë mundësinë të jetë pranë përfaqësueses.

Për situatën e fundit nuk ka pasur reagim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Reagim nuk ka pasur as nga Komiteti Olimpik i Kosovës. Vetëm pas interesimit të KOHËS, KOK-u ka dhënë një opinion.

KOK-u uron që e gjithë kjo situatë të mos ndikojë negativisht tek lojtarët, të cilëve u ka uruar fat në të dyja takimet. Kosova të martën luan me Andorrën në Prishtinë.

“Komiteti Olimpik i Kosovës është duke përcjellë me vëmendje ngjarjet e fundit në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe po ashtu tek Kombëtarja e Kosovës. KOK-u shpreson shumë që FFK-ja dhe Kombëtarja do ta tejkalojnë këtë situatë, e sidomos lojtarët të cilët do të duhej ta kishin përqendrimin maksimal tek dy ndeshjet shumë të rëndësishme ndaj Izraelit dhe Andorrës. Ne kërkojmë nga institucionet relevante që lojtarët dhe gjithë stafin e kombëtares ta lënë maksimalisht të qetë dhe assesi ata të bëhen objekt i ndërhyrjeve të ndryshme, në mënyrë që djemtë tanë ta kenë qetësinë dhe motivin maksimal për t’i arritur objektivat”, shkruan në përgjigjen e KOK-ut dhënë KOHËS të enjten.