Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka reaguar një ditë pas anulimit të konferencës së kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, pas presionit të veteranëve të UÇK-së. Ai ka thënë se komunikimi nuk duhet të pengohet.
Hargreaves ka takuar të mërkurën Trendafiloven në ambasadë. Më vonë në një postim në Facebook ka shkruar se Kosova me themelimin e Gjykatës Speciale ka demonstruar përkushtimin e saj për të ofruar drejtësi për të gjitha viktimat.
“Ashtu siç Britania e mbështeti Kosovën më 1999, ne vazhdojmë ta mbështesim sundimin e ligjit në Kosvë dhe pavarësinë e Dhomave të Specializuara si pjesë integrale e sistemit të saj ligjor”, ka shkruar ai.
Trendafilova të martën anuloi konferencën pas protestës që bënë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata u shprehën kundër vizitës së saj në Kosovë, duke u shprehur se “vizita e saj është vetëm për të keqen e Kosovës”.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ia ka shprehur shqetësimet në lidhje me punën e Dhomave të Specializuara, kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në një takim të martën.
Sipas një njoftimi për media, çështjet e diskutuara ishin bazuar në shqetësimet e ngritura nga palët. Avokati i Popullit ka shprehur shqetësime nëse po garantohet gjykim i drejtë dhe i paanshëm për të akuzuarit. Këtu ai ka përmendur sigurimin e provave nga Serbia, që ka qëndrime armiqësore ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarët e së cilës tash po akuzohen për krime lufte.