LAJMET E MBRËMJES

Trendafilova anulon konferencën pas protestës së OVL të UÇK-së

Pjesëtarë të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë hedhur tym të zi para një hoteli në lagjen “Marigona” në Graçanicë, ku u pati paralajmëruar që Trendofilova të mbante konferencë për media por e cila më pas është anulua shkaku i protestës. Vendimi është pritur me brohoritjen e protestuesve teksa udhëheqësi i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, ka theksuar se Trendafilova nuk është e mirëseardhur në Kosovë, pasi që “sjell lajme të këqija”

Një grup veteranësh të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bashkë me udhëheqës të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë protestuar të martën kundër vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, në Prishtinë.

Ata kanë hedhur tym të zi para një hoteli në lagjen “Marigona” në Graçanicë, ku u pati paralajmëruar që Trendofilova të mbante konferencë për media por e cila më pas është anulua shkaku i protestës.

Vendimi për anulimin e konferencës është pritur me brohoritjet e anëtarëve të OVL të UÇK-së, pasi për këtë ka njoftuar udhëheqësi i kësaj organizate, Hysni Gucati. 

“Trendafilova nuk është e mirë për qytetarët e Kosovës dhe për shtetin e Kosovës. Ne kemi problem me prokurori, nuk kemi problem me gjykatë, e cila punon me dosje të Serbisë dhe me dosje të shqiptarëve, të cilët kanë bashkëpunuar me Serbinë. Trendafilova e ka anuluar takimin në bazë të informacioneve, ndoshta mund të jetë brenda. Shpresoj dhe besoj që qëllimi ynë është i arritur, kështu që ky është informacioni”, ka thënë Gucati, i cili u pat dënuar nga Specialja në Hagë për pengim të administrimit të drejtësisë. 

Ai ka thënë se Trendafilova nuk është e mirëseardhur në Kosovë, pasi që sa herë që vjen “sjell lajme të këqija”. 

“Reagimi ka qenë që Trendafilova të mos vijë në Kosovë fare. Ne e dimë se vizita e saj, sa herë vjen në Kosovë, kjo vjen vetëm për një të keqe, një të zezë të Kosovës dhe ka ardhur sot pikërisht më 13 maj, kur dita sigurimit shtetëror të Serbisë, ku për shqiptarët është një ditë famëkeqe, është një ditë zie. Kemi fëmijë të pagjetur, baballarë, nëna, motra dhe ajo e ka gjetur këtë ditë të vijë këtu”, është shprehur ai.

Qëndrim të njëjtë për Trandofilovan kanë shprehur edhe në subjektin joparlamentar, Partia Socialdemokrate (PSD), e cila ka qenë pjesë e protestës të së martës. 

“Bashkë me veteranë, qytetarë e aktivistë jemi mbledhur sot për ta kundërshtuar vizitën e Kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova. U mblodhëm për të treguar se historia e këtij populli jeton në zemrat e njerëzve, ani pse institucionet i kemi të tjetërsuara. U mblodhëm për të demonstruar se padrejtësia në Hagë për ne këtu është fyerje e poshtërim. U mblodhëm për të treguar se drejtësia nuk ka nevojë për propagandë as për punë me imazhin. U mblodhëm për t’i treguar se ajo është Non Grata për Kosovën dhe qytetarët e saj”, kanë thënë në PSD nëpërmjet një postimi në Facebook. 

Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka thënë se konferenca e Trandofilovas në Kosovë është anuluar për shkaqe sigurie. Sipas saj, Policia e Kosovës ka këshilluar që konferenca të mos mbahet. 

E në Polici nuk kanë dhënë sqarim lidhur me këtë njoftim nga Specialja. 

Kundërshtime për konferencën e Trandofilovas ka pasur edhe gjatë vizitës së saj në Kosovë më 2023, por megjithëkëtë ajo u pati mbajtur. 

Gjykata Speciale është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës. Në dhjetor të 2024-s, Trandofilova, një gjyqtare nga Bullgaria, është rizgjedhur si kryetare e Speciales edhe për katër vjet të tjerë. 

Ky institucion i Kosovës, me seli në Hagë të Holandës, i heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Aktualisht, në këtë institucion është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit.

Deri më tani, kjo Gjykatë ka shpallur aktgjykime për krime lufte dhe për pengim të administrimit të drejtësisë.