Arbëri

Pas protestave të veteranëve, Trendafilova anulon konferencën

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Foto: Driton Paçarada

(Përditësuar: 12:25) - Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, e ka anuluar konferencën që pritej të mbahej në Prishtinë.

Konferenca u anulua pas protestës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) para hotelit ku po qëndronte ajo.

Nga Specialja kanë konfirmuar anulimin duke e arsyetuar me kushtet e sigurisë.

VIDEO:

Hysni Gucati i OVL-UÇK-së ka deklaruar se vizita e Trendafilovas në Kosovë është për të keqen e shqiptarëve.


Tensione në protestën e OVL-UÇK-së te Trendafilova

Anëtarët e OVL-UÇK-së kanë hedhur tym të zi pranë hotelit ku po mban konferencë kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

Veteranët u dëgjuan teksa thërrisnin “UÇK, UÇK”.


Veteranët protestojnë kundër vizitës së Trendafilovas

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë nisur protestën kundër vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

Ata po protestojnë para hotelit ku Trendafilova pritet të mbajë konferencë për media.

Organizatat e dala nga lufta në një reagim të përbashkët kanë deklaruar të hënën se vizita e kryetares së Dhomave të Specializuara është e papranueshme dhe fyerje.

Ata kanë thënë se vizita e saj s'ka asgjë të përbashkët me drejtësinë dhe transparencën, teksa përmenden edhe “qasjen arrogante të Gjykatës Speciale”.

“E njëjta gjykatë që heshti për krimet serbe mbi civilët shqiptarë, sot vjen në Kosovë si “autoritet drejtësie”, por nuk ka guxim të përballet me opinionin publik. Kjo është hipokrizi e pastër! Ne, OVL, SHIL dhe SHFD, ritheksojmë kundërshtimin tonë të plotë dhe të palëkundur ndaj kësaj vizite. Kërkojmë nga institucionet e Kosovës që të mos bëhen pjesë e kësaj fasade, dhe i ftojmë të gjithë qytetarët, shoqatat e dala nga lufta dhe mediat e pavarura, të qëndrojnë në krah të së vërtetës dhe sakrificës sonë të përbashkët”, thuhet në reagim.