Avokati Hasan Shala ka thënë se deklarata e kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, se Gjykata Speciale është “e fokusuar në përmbushjen e mandatit për drejtësi të pavarur”, ka qenë injoruese ndaj shtetit të Kosovës.
Sipas tij, kjo gjykatë e ka nënçmuar shtetin.
“Deklarata e kryetares së Gjykatës Speciale ka qenë injoruese ndaj shtetit të Kosovës, e ka injoruar në tërësi, ka qenë e ftohtë, dhe me një fjalë ka thënë ‘i kam kompetencat e mija dhe as nuk i vlerësoj’. Gjykata nuk është për ta vlerësuar kushtetutshmërinë e një ligji. Na ka nënçmuar ajo gjykatë”, ka thënë ai në “60 Minuta”.
Shala ka kritikuar edhe ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, pasi ka thënë se ka elemente që nuk janë përfshirë.
“E meta e parë e këtij ligji është që këta që e kanë hartuar nuk kanë kërkuar që gjykata duhet të japë llogari një institucioni shtetëror të Kosovës apo Këshillit të Evropës”, u shpreh ai.
Ndërsa, pas dekretimit të ligjit nga presidentja, Shala ka treguar se për ta dërguar më pas në Gjykatë Kushtetuese do të duhej kontestimi nga 30 deputetë.
Në një video-adresim të hënën, 19 tetor, Trendafilova tha se prej themelimit kjo gjykatë ka qenë cak i informacionit të rremë për pavarësinë dhe funksionimin e institucionit.
“Dhomat e Specializuara janë institucion gjyqësor me mandat të përcaktuar në Shkëmbimin e Letrave, Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Gjykata është e fokusuar në garantimin e proceseve penale të sigurt, të pavarur, të paanshëm, të drejtë dhe efikasë e njëkohësisht në mbrojtjen e fuqishme të dëshmitarëve dhe viktimave. Në kundërshtim me informacionin e rremë në lidhje me Gjykatën që shpërndahet vazhdimisht, Dhomat e Specializuara garantojnë të drejtat për gjykim të drejtë për të akuzuarit në pajtim me standardet e njohura ndërkombëtare”, ka thënë ajo ndër të tjerash në video duke shtuar se gjyqtarët në këtë gjykatë janë nga shtete të Bashkimit Evropian e se ata detyrat i kryejnë “në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të ndërgjegjshme, në shërbim të drejtësisë dhe sundimit të ligjit”.
Sipas saj, gjykatësit i zbatojnë konventat ndërkombëtare të përmendura në Kushtetutën e Kosovës.
Trendafilova ka thënë se rishikimi i vendimeve gjyqësore bëhet përmes apelimeve. Ajo po ashtu ka thënë se “askush nuk mund t’u diktojë gjykatësve se si ta interpretojnë dhe zbatojnë ligjin”.
“Si institucion gjyqësor i pavarur, Dhomat e Specializuara ushtrojnë mandatin e tyre pa konsiderata, preferenca, ndikim ose ndërhyrje politike. Dhomat e Specializuara i përmbahen me vendosmëri angazhimit për ruajtjen e standardeve ndërkombëtare më të larta gjatë kryerjes së mandatit që u është besuar me pritshmërinë se të gjithë palët e angazhuara do të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse për të garantuar sundimin e ligjit”, ka shtuar ajo.