Arbëri

Berisha kërkon të jetë pjesë e institucioneve: I gatshëm të marrë drejtimin e secilës ministri

Deputeti i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të mbështesë formimin e institucioneve të reja, por me kusht që komuniteti egjiptian të jetë realisht pjesë e tyre, me përfaqësim dhe përgjegjësi. Ai ka thënë se është i gatshëm të marrë drejtimin e secilës ministri që i ofrohet.

“Ne përfaqësojmë një komunitet që për shumë vite është lënë anash. Kemi kërkuar që të jemi pjesë aktive e institucioneve dhe të kemi garanci se do të zbatohet një program konkret për përmirësimin e gjendjes së komunitetit tonë”, ka thënë Berisha në “60 Minuta” të KTV-së.

Berisha foli edhe për takimet fillestare me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe programin me 11 pika, i cili përfshin investime në arsim, infrastrukturë, punësim dhe përfshirjen e egjiptianëve në institucione, që ia ka paraqitur atij. Por ka thënë se kur kanë kaluar më shumë se një muaj nga këto takime, nuk ka pasur zhvillime të tjera.

“Nuk po kërkojmë favore, por përgjegjësi reale për të zbatuar një program që do të ndikonte drejtpërdrejt në stabilizimin e jetës së komunitetit egjiptian në Kosovë”, shtoi ai.

Berisha ka thënë se nuk voton për formimin e komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentares pasi emri i tij është futur pa pëlqim në komision. Sipas tij, ndryshimi i mënyrës së votimit në këtë fazë është i papranueshëm. Berisha ka thënë se kur ka qenë votimi i hapur, ai ka votuar gjithmonë pro Haxhiut.

Kuvendi i Kosovës ka dështuar tashmë 15 herë të konstituohet, për shkak të mungesës së konsensusit politik. Kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk ka marrë ende mbështetjen e nevojshme. Tentimi i 16-të për votim është caktuar për nesër, më 15 maj, në orën 10:30.