Sport

Gjyqtarët në Angli do t’i ndalin ndeshjet për lojtarët që agjërojnë

Gjyqtarët në Premier League kanë kërkuar që të ndalojnë ndeshjet e mbrëmjes gjatë muajit të Ramazanit, për t'i lejuar lojtarët të përfundojnë agjërimin e tyre. Muaji i shenjte i Ramazanit, që është muaji i nëntë në kalendarin islamik, do të fillojë të enjten dhe do të përfundojë mbrëmjen e së premtes, më 21 prill. Një numër i lojtarëve myslimanë do të heqin dorë nga ngrënia dhe pirja gjatë orëve të ditës dhe zyrtarëve të ndeshjeve në katër divizionet kryesore të Anglisë u është kërkuar të ndalojnë ndeshjet e mbrëmjes në mënyrë që këta lojtarë të mund të marrin lëngje, gjel energjie dhe suplemente të tjera. Gjyqtarët gjithashtu janë inkurajuar që përpara fillimit të ndeshjeve të përpiqen të identifikojnë lojtarët që mund të kenë nevojë të përfundojnë agjërimin gjatë lojës dhe aty ku është e mundur të bien dakord për një pushim për kohë të shkurtër, që kjo të ndodhë.

Disa nga futbollistët më të mirë të Premier Leagues si Mohamed Salah i Liverpoolit, Riyad Mahrez i Manchester Cityt dhe N’Golo Kante i Chelseat, pritet të agjërojnë këtë muaj, që vlerësohet periudhë e rëndësishme vetëreflektimi për myslimanët. Arbitrit janë inkurajuar të presin për një ndërprerje të natyrshme të lojës, siç është rivënia e topit nga këndi, për ta ndalur ndeshjen. Edhe skuadrave u është thënë që para ndeshjeve të arrijnë marrëveshje mes vete dhe ta njoftojnë arbitrin në mënyrë që loja të ndërpritet në momentin e iftarit. Ndeshjet në Premier League janë ndalur edhe në të shkuarën në mënyrë që futbollistët të kenë mundësi për ta përfunduar agjërimin.

Dy vjet më parë ndeshja e Leicester Cityt me Crystal Palace ishte ndërprerë për t'i lejuar lojtarët të bëjnë iftar. Besohet që ai rast të ketë qenë i pari në Premier League. Të dy klubet ranë dakord para ndeshjes me gjyqtarin Graham Scott që do të kishte një pauzë në lojë për të lejuar lojtarët Wesley Fofana dhe Cheikhou Kouyate të ushqeheshin pak. Vicente Guiata vonoi një goditje vetëm pas gjysmë ore lojë për të lejuar Fofanan dhe Kouyaten të merrnin gjel energjik në skaj të fushës. Fofana shkroi në rrjetet sociale pas ndeshjes duke falënderuar portierin Guiata, Crystal Palacen dhe Premier Leaguen që e lejuan të përfundoi agjërimin, duke shtuar: “Kjo është ajo që e bën futbollin të mrekullueshëm”.

Edhe një ndeshje e Bundesligës është ndalur për herë të parë në histori sezonin e shkuar, në mënyrë që ylli i Mainzit, Moussa Niakhate, ta përfundonte agjërimin. Atë ndeshje e ndaloi arbitri Matthias Jollenbeck, i cili pastaj kompensoi minutat e pauzës.

Qëndrimi i Premier Leagues më parë ka qenë që të lejojë që ndeshjet të ndërpriten nëse një ekip parashtron një kërkesë, por këtë herë liga ka dërguar një mesazh të qartë për gjyqtarët përpara fillimit të Ramazanit. Ndeshja e parë ku do të mund të zbatohet kjo kërkesë është ajo ndërmjet Leedsit dhe Liverpoolit, që do të zhvillohet me 17 prill në stadiumin “Elland Road”. Po ashtu, ndërprerje të shkurtër mund të ketë edhe në duelin mes Arsenalit dhe Southamptonit, i cili zhvillohet në ditën e fundit të Ramazanit.

Salah dhe Mahrez do të përballen në ndeshjen e parë të Premier Leagues pas pushimit ndërkombëtar, kur Liverpooli udhëton në “Etihad Stadium”. Ndërprerja nuk do të jetë e nevojshme për këtë ndeshje për shkak se zhvillohet prej orës 13:30. Dhe disa lojtarë mund të luajnë derisa janë duke agjëruar.