Arbëri

Fajësohen institucionet për mungesë sinjalistike që ndalon larjen në Ujman

Përreth Ujmanit mungojnë shenjat që ndalojnë larjen, ndërkaq edhe në urën kryesore mbi të nuk ka shenja që ndalojnë hedhjen nga lartësia në liqen. Pasi të dielën u mbyt një 33-vjeçar që u hodh nga ura, është kërkuar hetim, e edhe përgjegjësi institucionale për promovim larjeje në liqenin që ndodhet në veri. E autoritetet, tek pas rastit tragjik, kanë komunikuar për vendosjen e sinjalistikës

Tri ditë pasi një i ri vdiq pas hedhjes në Ujman nga ura kryesore mbi liqen, janë dhënë kritika ndaj institucioneve për mungesë shenjash që ndalojnë larjen në liqe e edhe hedhjen nga kjo lartësi.

Nëpërmjet një reagimi, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kërkuar hetim e llogaridhënie institucionale, dhe ka konstatuar se përreth liqenit që ndodhet në veriun e banuar kryesisht me serbë mungon sinjalistika, ndërkaq përfaqësues shtetërorë kanë promovuar larjen në të.

Sipas Ligjit për Ujërat e Kosovës, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Komunat dhe Kompanitë e ofrimit të shërbimeve të ujit, me akt nënligjor cakton zonat për larje. E, Udhëzimi Administrativ për kriteret për zonat për larje, saktëson se ky obligim do të duhej që të përmbushej më së largu deri në vitin 2018. Përcaktimi i një zone të caktuar për larje, sipas këtij Udhëzimi Administrativ, tërheq pas vetës obligimin e ndërmarrjes së nëntë (9) masave menaxhuese.

IKD-ja ka konstatuar se, përkitazi me këtë obligim, deri më tani, nuk ka asnjë njoftim publik nëse institucionet kompetente e kanë caktuar Liqenin e Ujmanit si zonë për larje, e në anën tjetër politikanët kanë promovuar larjen. 

“Për më tepër, nuk ekzistojnë njoftimet nëse larja në këtë zonë është e lejuar apo e ndaluar. Ndërkaq, situata faktike është se tash e një kohë ky liqen është duke u përdorur për larje nga qytetarët”, thuhet në reagimin e IKD-së. “Institucionet e Republikës së Kosovës në vend të përmbushjes së obligimeve ligjore përkitazi me caktimin e zonave për larje dhe ndërmarrjen e masave menaxhuese, siç kërkohet me Ligj dhe Udhëzim Administrativ, kanë proklamuar liqenin si zonë për larje. Zyrtarë qeveritarë, përfshirë deputetë dhe ministra, kanë shkuar vet në liqenin e Ujmanit dhe kanë shpërndarë publikisht pamje të njerëzve që lahen në liqenin e Ujmanit, duke e paraqitur atë si vend të pushimit dhe duke lënë të nënkuptohet për qytetarët se kjo është zonë për larje”.

Liqeni i Ujmanit shërben si një nga burimet më të rëndësishme të ujit të pijshëm në Kosovë, duke furnizuar me ujë të pijshëm një pjesë të konsiderueshme të popullsisë. 

Sipas nenit 9 të Udhëzimit Administrativ për kriteret për përcaktimin e zonave të mbrojtura sanitare të burimeve të ujit, liqenet dhe akumulimet kategorizohen si burime ujore sipërfaqësore. Ky Udhëzim, në asnjë nen të tij, nuk përcakton dispozita që lejon larjen e qytetarëve. 

E, IKD-ja ka konstatuar se përkundër kësaj, përfaqësuesit institucional vazhdimisht kanë proklamuar Liqenin e Ujmanit si vend të lejueshëm për larje, derisa “raportimet ishin se Policia e Kosovës ruante qytetarët teksa laheshin në Liqenin e Ujmanit”.

“Në gjithë këtë situatë, duke qenë në fuqi Ligji për Ujërat dhe Udhëzimet relevante Administrative, mos përmbushja e këtyre veprimeve mund të implikojë edhe përgjegjësinë e institucioneve publike në vdekjen tragjike të 27 korrikut”, thuhet në reagim.

Në Ministrinë e Infrastrukturës nuk kanë treguar nëse do të merren masa për vendosjen e  shenjave.

E zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, i ka thënë KosovaPressit se pas rastit tragjik të 33-vjeçarit, është diskutuar me Ndërmarrjen Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” për vendosjen e sinjalistikës.

“Jo, s’ka pasur (shenja paralajmëruese v.j.)... Kemi biseduar [me përfaqësues të ‘Ibër Lepencit’) pasi ka ndodhur rasti, u kemi thënë se kush është përgjegjës për vendosjen e shenjave aty dhe besoj që ‘Ibër Lepenci’ e merr iniciativën, sepse ata janë përgjegjës për liqe e për këto, ata do të punojnë për vendosjen e shenjave kudo që ka nevojë të përcaktojnë vendin, zonën e ndalimit ku nuk duhet të lahen”, ka thënë Elshani. 

Por, kryeshefi i ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka, ka theksuar se nuk është kompetencë e ndërmarrjes që të vendosë për shenjat në rrugë, ndërsa ka shtruar nevojën për koordinim në mes të institucioneve.

“Ato normalisht duhet të koordinohen, unë nuk vendosi shenja. Duhet me u thirr në ndonjë ligj që të vendosen shenja. Sa i përket infrastrukturës, sa i përket ‘Ibër Lepencit’ në digë, në kanal edhe në central shenjat janë. Tash unë nuk mund të vendosi shenja nëpër ura, nëpër krejt autostradën që kalon ka liqeni”, ka thënë Mujka. “Unë nuk mund t’i vendosi vet këto gjëra. Normalisht që duhet të kemi koordinim jo vetëm me Ministrinë e Punëve të Brendshme, sepse këtu ngërthehen shumë gjëra. Është Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, është liqeni. Ende statusi i liqenit nuk është i definuar a është uji për pije, sepse uji i liqenit të Ujmanit përdoret për pije. I ka disa kufizime të caktuara, është pak një operacion që kërkon ndërthurje të shumë ministrive”.

E nevojën për vendosjen e shenjave e ka shprehur edhe eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti.
“Përderisa aksidenti nuk ka ndodhur si rezultat i përplasjes në komunikacion ose diçka të ngjashme, krejt çfarë mund të jetë është një shenjë komunikacioni që ndalohet kërcimi prej urës dhe ajo nuk është ekskluzivisht shenjë e komunikacionit, por është një prej shenjave që ne i propozojmë – që nuk lejohet kërcimi prej rrugës”, ka thënë ai për KSP, dhe ka rekomanduar edhe veprime tjera që do të mund të merreshin mbi urë. “Mund të vendoseshin rrethoja të larta që qytetarët të mos mund ta përdorin mundësinë e kërcimit... Ura është nën juridiksionin e Ministrisë së Infrastrukturës. Ajo rrugë duhet të jetë në një juridiksionin e tyre dhe nëse ata nuk kanë shenjë të komunikacionit, e adaptojnë një”.

Sipas Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNJ), neni 2 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut i obligon shtetet jo vetëm që të përmbahet nga marrja e jetës “qëllimisht”, por edhe të ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës së personave që janë nën juridiksionin e tyre.

Në reagimin për vdekjen e 33-vjeçarit pas hedhjes nga ura në liqe, IKD-ja ka theksuar se mos përmbushja e obligimeve ligjore nga institucionet, promovimi i Liqenit të Ujmanit si zonë për larje, mungesa e sinjalistikës për ndalimin e larjes dhe mosreagimi institucional, “mund të ishin faktorë drejt vdekjes tragjike të 27 korrikut”. 

“Në kuptim të jurisprudencës së GjEDNj-së, këto mosveprime mund të rezultojnë në shkelje të së drejtës në jetë në raport me qytetarin që humbi jetën tragjikisht dhe mund të rezultojnë në rrezik të përgjithshëm për qytetarët e tjerë”, thuhet në reagimin e IKD-së. “Përballë të gjitha këtyre rrethanave, IKD-ja kërkon që të iniciohet menjëherë një hetim institucional lidhur me moszbatimin e obligimeve ligjore dhe lejimin e shfrytëzimit të Liqenit të Ujmanit si zonë për larje, që kulmoi me vdekjen tragjike të 27 korrikut. IKD gjithashtu kërkon që të ndalet komunikimi i papërgjegjshëm publik nga zyrtarët që promovojnë larjen apo hedhjen në këto zona pa vlerësim të rrezikut dhe pa sinjalistikë adekuate”.

Të martën, kur është bërë dita e tretë e kërkimit, është gjetur trupi i pajetë i të riut që të dielën u zhduk në ujërat e liqenit të Ujmanit, pasi u hodh nga ura mbi të.

Trupi është nxjerrë pas aktivizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pak orë pasi u autorizua t’i bashkohet ekipeve të kërkimit. 

Në operacion që nga fillimi është përfshirë Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave.

Krahas FSK-së dhe KFOR-it, edhe pjesëtarë të Policisë kanë asistuar në operacion.

Pasi FSK-ja e ka nxjerrë trupin e pajetë të të riut nga Liqeni i Ujmanit, e ka dorëzuar te Policia dhe ekipi i forenzikës.