Sulmuesi Erling Haaland do të humbasë ndeshjet e Norvegjisë në kualifikimet për Euro 2024 kundër Spanjës dhe Gjeorgjisë.
Ai do të mungojë për shkak të dëmtimit në ijë që e pësoi në fitoren e Manchester Cityt ndaj Burnleyt në çerekfinale të Kupës FA, tha të martën Federata e Futbollit të Norvegjisë.
Haaland, i cili ka 21 gola në 23 paraqitje për Norvegjinë, ka qenë në formë të shkëlqyer këtë sezon, duke shënuar 42 gola për Cityn, ekip të cilit iu bashkua verën e shkuar nga Borussia Dortmundi.
Norvegjia është në Grupin A së bashku me Qipron, Gjeorgjinë, Skocinë dhe Spanjën. Ndeshjen e parë të këtij cikli kualifikues, Norvegjia e luan me Spanjën në Malaga të shtunën, përpara se të udhëtojë për t'u përballur me Gjeorgjinë të martën.