Festim Kryeziu, i njohur në boksin profesionist si Timo Schwarzkopf, ka triumfuar të shtunën mbrëma në Wangen të Gjermanisë në një meç në dhjetë runde në kategorinë super të lehtë ndaj ish-kampionit të botës, meksikanit Miguel Vazquez.
Kryeziu shënoi fitore me vendim unanim pas 10 rundeve. Dy nga anëtarët e jurisë e vlerësuan luftën 95:94 në favor të Kryeziut, ndërsa një tjetër 98:92 në favor të boksierit kosovar po ashtu.
Për Kryeziun 31-vjeçar është fitorja e 22-të në boksin profesionist karshi pesë humbjeve.
Lufta ishte mjaft e fortë, ndërsa Kryeziu e rrëzoi një herë Vazquezin. Vazquez 36-vjeçar për disa vjet kishte qenë kampion bote në kategorinë e lehtë.
Për të është humbja e 12-të karshi 44 fitoreve.
Në parameç Altin Zogaj në një meç në 10 runde mposhti boksierin armen me shtetasi gjermane Armenak Hovhannisyan. Zogaj triumfoi me vendim unanim, në meçin e kategorisë gjysmë të rëndë. Për të është fitorja e 11-të në po aq meçe profesioniste. Armeni Hovhannisyan pësoi humbjen e tretë, karshi 13 fitoreve e një barazimi.