Sport

Radelj: Unë solla Sorschagun te Kosova, ajo do të luftojë për medalje olimpike

Një kampione e botës në kërcime me ski do të garojë për Kosovën. Ky është lajmi që u dha më herët këtë muaj nga Federata Skitare e Kosovës dhe Komiteti Olimpik i Kosovës. Në fillim lajmi dikujt mund t’i jetë dukur i pabesueshëm. Kërcimet me ski dhe Kosova nuk kanë pasur ndonjë të përbashkët deri më tani. Por kjo ka ndryshuar tashmë.

Është austriakja Sophie Sorschag që do të garojë për Kosovën. Ajo ka fituar titull të botës për Austrinë në konkurrencë ekipore, në vitin 2021. Vjet mori pjesë në Lojërat Olimpike në Pekin. Tani 24-vjeçarja është pjesë e Kosovës dhe prej stinorit të ardhshëm do të paraqitet në gara. Dhe vetëm paraqitja nuk do të mjaftojë. Ajo do të synojë medalje. Madje në garat më të mëdha, në Botëror e në Lojëra Olimpike.

Slloveni Jure Radelj është prej përgjegjësve që Sorschag është pjesë e Kosovës tashmë. Për të interesim kanë shprehur edhe vende të tjera. Por Radelj tregon që biseda janë zhvilluar vetëm me Kosovën.

Radelj 45-vjeçar është trajner në disiplinën e bukur e jo të lehtë të kërcimeve me ski. Me Sorschagun punon prej vitit të kaluar. Dhe është optimist se Kosova në të ardhmen do të ketë medalje nga garat e rëndësishme të kërcimeve me ski.

“Kosova dhe Sllovenia kanë kontakte të mira në sportet dimërore dhe kështu ka ardhur deri te bashkëpunimi. Asnjë vend tjetër nuk ishte serioz sa Kosova. Të gjitha raportimet për kalim në vend tjetër ishin spekulime. Nga ana jonë, Kosova ishte vendi i parë me të cilin patëm biseda të vërteta”, ka thënë Radelj të dielën për KOHËN.

Ai ka garuar në kërcime me ski prej vitit 1993 e deri në vitin 2006. Tri herë përfundoi në Top-10 në garat e Kupës së Botës.

Edhe Sorschag ka tri plasmane në Top-10 në garat e Kupës së Botës, që janë më të rëndësishmet në këtë sport. Por shumë të tjera synohen në vitet e ardhshme.

Sorschag vjet lëndoi gjurin në një rrëzim të rrezikshëm. Dhe iu nënshtrua operimit, ndërsa tani po kthehet gradualisht në formë.

“Është e vërtetë që unë e solla Sophien te Kosova. Kam shumë shokë në sport dhe kështu ndodhi e gjitha. Në sport mund të ndërtojmë ura dhe kështu filloi gjithçka. Sophie do të fillojë me gara prej stinorit të ardhshëm, çdo gjë do të shkojë sipas protokollit”, ka shtuar slloveni Radel.

Sorschag ka folur për pritjen shumë të ngrohtë që i është bërë te Kosova. Për këtë ka folur edhe trajneri Radelj.

“Federata kosovare e Skijimit dhe Komitetit Olimpik i Kosovës na kanë pritur jashtëzakonisht mirë. I falënderoj përzemërsisht këta njerëz që kuptojnë se çka është në pyetje. Do të jetë diçka e re për sportin kosovar dhe përfshirjen e mëtejme të Kosovës në sportet dimërore”, ka theksuar Radelj.

Sportet e dimrit nuk janë shumë të zhvilluara në Kosovë. Edhe skitari më i mirë i Kosovës, Albin Tahiri, jeton në Slloveni. Dhe kështu lidhja me sllovenët forcohet.

“Ardhja e Sorschagut është bërë lajm i bujshëm në sportin tonë dhe po flitet pozitivisht për këtë. Nënkupton edhe një vend i ri në familjen e kërcyesve me ski. Në këtë drejtim është një lajm i madh, pasi përmes kërcimeve me ski mund të promovohet Kosova”, ka thënë Radelj.

Kosova edhe më herët ka natyralizuar sportistë. Por asnjë të nivelit të Sorschagut.

“Natyrisht se synimi ynë është Kupa e Botës. Që të gjejmë ritmin e garaave. Më pas Botërori dhe Lojërat Olimpike. Po i bëjmë të gjitha që të mund të përfshihemi në luftë për medalje. Sophie ka vërtet shumë kualitet”, thekson Jure Radelj.