FIFA ka hapur procedurë disiplinore për lojtarët e Argjentinës për shkak të incidenteve në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Botës kundër Holandës.
Shtëpia botërore e futbollit e ka cituar “rregullin dhe sigurinë në ndeshje” në kodin e vet disiplinor, për akuzën që i është bërë Federatës së Futbollit të Argjentinës.
Lojtarët zëvendësues dhe stafi i trajnerëve kanë hyrë në fushë dhe situata është kthyer me incidente fizike mes dyja ekipeve. Holanda shënoi dy gola që e dërgoi ndeshjen në vazhdime.
Situata u tensionua edhe më shumë pasi Argjentina u kualifikua në gjysmëfinale pas penalltive.
Lionel Messi ishte në mesin e 17 lojtarëve të ndëshkuar me kartonë të verdhë, që është rekord për një ndeshje në Kupë të Botës, shkruan “Associated Press” të shtunën.
Ekipet futen në procedurë disiplinore nëse marrin të paktën pesë kartonë të verdhë brenda një ndeshjeje.
Për këtë arsye, si Argjentina, ashtu edhe Holanda, mund të gjobiten, ka thënë FIFA.
Të dyja federatat mund të gjobiten me nga 15 mijë franga zvicerane.
Dënime të ngjashme, FIFA kishte dhënë edhe ndaj Arabisë Saudite për sjellje jo të mirë.
Argjentina mund të marrë dënim edhe më të madh për shkaktim të incidentit.
FIFA nuk ka kohë të caktuar për marrjen e vendimeve, por një gjë e tillë pritet të publikohet më vonë.
Argjentina takohet me Kroacinë të martën në gjysmëfinale.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.