Tetë skuadra kanë mbetur në Kupën e Botës dhe që të gjitha kanë një ëndërr, ngritjen e trofeut më të çmuar në futboll më 18 dhjetor.
Pas fazës grupore të turneut që dhuroi shumë befasi, tani është afruar koha e përfundimit të Botërorit dhe në çerekfinale ka shumë lojtarë të talentuar.
Gjashtë prej skuadrave të mbetura janë ish-fitues apo finalistë të Botërorit – ndërsa së bashku e kanë të fituar 10 herë këtë trofe.
Ka edhe befasi mes tyre, me Marokun që tani ka synimin të bëhet skuadra e parë nga Afrika që arrin në gjysmëfinale, pasi e preku rrethin e çerekfinales.
Skuadra me nam në çerekfinale
Largimet shokuese të skuadrave si Gjermania dhe Belgjika – si dhe eliminimi i Spanjës në një të tetën e finales – do të thotë se ata nuk do të jenë të pranishme në një nga çiftet e çerekfinaleve.
Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo janë prej emrave më të mëdhenj, por pa anashkaluar edhe Neymarin, Harry Kanein, Kylian Mbappen dhe Luka Modriqin, që ende janë në garë.
Katër ndeshjet çerekfinale janë thuajse krejtësisht të barabarta. Kroacia luan me Brazilin, Holanda do të jetë përballë Argjentinës, Maroku përballet me Portugalinë ndërsa Anglia luan kundër Francës, fitueses në fuqi të Kupës së Botës.
Beteja anglo-franceze
Anglia dhe Franca – fituesja në fuqi e Botërorit – takohen në një turne madhor për herë të parë në 10 vjet dhe për herë të parë në fazën nokaut.
Skuadrat barazuan 1:1 në fazën e grupeve të “Euro 2012”, por duhet të kthehemi prapa në vitin 1982 për takimin e fundit në Kupën e Botës.
Bryan Robson shënoi dy herë në fitoren 3:1 të Anglisë ndaj ekipit ku luante legjenda franceze e futbollit, Michel Platini.
“Tre Launët” nuk u bën fitues të Botërorit në atë vit në Spanjë, por hera e parë që ata u shpallën më të mirët – ishte viti 1966 – dhe njëra prej skuadrave që mposhtën rrugës drejt lavdisë ishte Franca.
Sidoqoftë, tani do të përballen me një prej sulmuesve më në formë, Mbappen, që i prin garës për “Këpucën e Artë” me pesë gola dhe luan përkrah golashënuesit më të mirë të Francës, Olivier Giroud.
“Të shtunën do ta kemi me të vërtetë të vështirë”, ka thënë kapiteni i Anglisë, Kane. “Franca është skuadër e madhe, fituese në fuqi e Botërorit, kështu që e dimë se do të jetë mbrëmje shumë e vështirë. Mendoj se nëse dëshiron ta fitosh Kupën e Botës, duhet të luash kundër skuadrave më të mira në botë dhe Franca padyshim se është lart”.
Finalja Messi kundër Ronaldos?
Të dielën më 18 dhjetor zhvillohet finalja e Botërorit në Doha, në stadiumin “Lusail”. Dy prej lojtarëve më të mirë të gjeneratës së tyre mund të përballen mes vete – në tentimin e fundit për lavdinë e Botërorit.
Messi i Argjentinës dhe Ronaldo i Portugalisë po vazhdojnë të shkruajnë rekorde të reja. Dhe në këtë turne, Messi shënoi gol në paraqitjen e tij të 1000-të në karrierë, në fitoren ndaj Australisë në një të tetën e finales. Ndërkohë, Ronaldo u bë futbollisti i parë që shënon në pesë Kupa të Botës.
Të dy kanë fituar tituj në kontinentet e tyre – Messi triumfoi në “Copa America” vitin e kaluar, kurse Ronaldo pati sukses në Kampionatin Evropian 2016 – por që të dyve iu mungon trofeu më i çmuar në futboll.
Për Messin 35-vjeçar mund të jetë Botërori i fundit, ndërsa Ronaldo në Kupën e Botës pas katër vjetësh do të jetë 41-vjeçar.
Ronaldo luajti pak rol në ndeshjen e një të tetës së finales pasi u inkuadrua në lojë si zëvendësues, ndërsa 21-vjeçari Goncalo Ramos, shënoi “hat-trick” kundër Zvicrës.
Nëse që të arrijnë deri në finale, debati se kush është më i miri në histori të futbollit, do të mund të mbyllej.
Përballje e skuadrave të Amerikës së Jugut?
Nëse kalojnë Kroacinë dhe Holandën respektivisht, skuadrat e mëdha të Amerikës së Jugut, Brazili dhe Argjentina do të takoheshin në gjysmëfinalen që luhet në “Lusail Stadium”.
Pesë herë fituesi dhe favoriti i turneut, Brazili, tregoi fuqinë e vet përballë Koresë së Jugut për të kaluar në çerekfinale, ndërsa Argjentinës iu desh paraqitja brilante e kapitenit, Messit, për ta kaluar Australinë.
Këto ekipe janë takuar katër herë në Kupë të Botës. Hera e fundit ishte viti 1990, kur Claudio Caniggia shënoi në fund për ta dërguar Argjentinën në çerekfinale.
Shpresa për ta mbajtur trofeun larg duarve të futbollistëve evropianë mbetet te këto dy skuadra. Brazili ishte ekipi i fundit joevropian që e ka fituar trofeun në vitin 2002.
Ylli Neymar u shërua nga lëndimi që e mori në ndeshjen hapëse dhe shënoi gol në një të tetën e finales kundër Koresë së Jugut.
I duhet vetëm edhe një gol për ta barazuar rekordin e të madhit Pele, që ka realizuar 77 gola me “Selecaon”.
Por, Luka Modriq i Kroacisë dhe Virgil van Dijk i Holandës do ta kenë fjalën e tyre nëse do të lejojnë të ndodhë një gjë e tillë apo jo.
Shkëlqimi i Bergkampit
Duke folur për Holandën, skuadra e drejtuar nga Louis van Gaal dhe Argjentina e njohin njëra-tjetrën në këtë turne, pasi do të takohen për herë të gjashtë.
Që të dyja e kërkojnë kalimin në gjysmëfinale.
Është një përsëritje e finales së vitit 1978 kur fitoi skuadra e Amerikës së Jugut.
Përballja e fundit është ajo e para tetë vjetëve, kur Argjentina fitoi me penallti.
Por një prej momenteve më të famshme – jo vetëm në këtë ballafaqim por në gjithë historinë e Kupës së Botës – erdhi në vitin 1998 kur Dennis Bergkamp shënoi një gol të shkëlqyer në minutën e fundit, për ta dërguar Holandën në gjysmëfinale.
“Dennis Bergkamp, Dennis Bergkamp, Dennis Bergkamp”, bërtiste komentatori holandez, pasi ylli i Arsenalit në mënyrë të përkryer kontrolloi pasimin e Frank de Boerit, kaloi Roberto Ayalan dhe e dërgoi topin në rrjetë.
A mund Cody Gakpo të bëjë diçka të ngjashme kësaj radhe?
Maroku i mrekullueshëm
Penalltia e fitores e shënuar nga Achraf Hakimi në ekzekutimin e penalltive ndaj Spanjës ishte madhështore. Me “Panenka” realizoi në mesin e portës dhe festoi shumë në stadiumin “Education City”.
Kalimi në çerekfinale të Kupës së Botës ishte një e arritur e madhe, sa që përzgjedhësi Walid Regragui pranoi një telefonatë nga Mbreti i Marokut, Mohammed VI, pas ndeshjes.
Mirë të organizuar dhe vështirë për t’u mposhtur, Maroku është në formë të madhe pasi ende nuk është mposhtur në këtë Kupë të Botës dhe ka pranuar vetëm një gol në shtatë ndeshjet e fundit.
Maroku është vetëm shteti i katërt i Afrikës që shkon në fazën e tetë skuadrave më të mira dhe tani po e shikon mundësinë të bëhet skuadra e parë nga ky kontinent që e prek gjysmëfinalen.
Megjithatë, një tjetër test i vështirë ndaj një skuadre tjetër të fortë evropiane e pret para – dhe Portugalia po synon po ashtu të shkruajë historinë, për të arritur në finalen e parë të një Botërori.