Trajneri i Kroacisë, Zlatko Daliq, ka pranuar se për ekipin e tij është e frikshme të përballet me Brazilin e mbushur me yje në çerekfinalen e Kupës së Botës.
Po ashtu, Daliq e ka quajtur Brazilin si “ekipin më të mirë të turneut të Katarit. Kroacia dhe Brazili, do të përballen të premten në ndeshjen çerekfinale të Botërorit, e cila nis në orën 16:00.
“Nëse e shikojmë realisht, Brazili është skuadra më e mirë në këtë turne, nga ajo që kam parë deri më tani. Është e frikshme të luash kundër tyre, kështu që, kjo ndeshje do të jetë një test i madh për ne”, është shprehur Daliq të martën në konferencën për shtyp.
Kroacia avancoi në çerekfinale, pasi e eliminoi Japoninë në 1/8 e finales pas penalltive, ndërsa Brazili ishte bindshëm më i mirë se Koreja e Jugut në këtë fazë, duke e mposhtur me rezultatin 4:1.
“Duhet të përgatitemi mirë, ndonëse më shumë do të kishim dashur që me Brazilin të takohemi në finale sesa në çerekfinale të Botërorit”, ka shtuar Daliq.
Kroacia është nënkampione e botës në fuqi.