Sport

Besimi, arma e fortë e Kroacisë kundër Brazilit

Për sa i përket popullsisë, nuk ka konkurrencë midis Brazilit dhe Kroacisë.

“Brazili ka 200 milionë njerëz, ne kemi vetëm 4 milionë”, tha të martën përzgjedhësi i Kroacisë, Zlatko Daliq. “Pra, ne jemi pak a shumë si një periferi e një qyteti të madh në Brazil”.

Kroacia është një nga vendet më numrin më të vogël të banorëve që u paraqit në këtë Botëror. Më pak banorë ka vetëm nikoqiri, Katari.

Megjithatë, në fushën e futbollit, Kroacia ka qenë skuadër e fortë prej vitesh. Përfundoi e treta në vitin 1998 në Botërorin e saj të parë, kurse arriti në finale në vitin 2018 në Rusi. Pra, Kroacia ka besimin e duhur që të premten të hyjë në ndeshjen çerekfinale kundër pesë herë kampionit të botës, Brazili.

“Kurrë mos e nënvlerësoni Kroacinë. Kroacia është një vend i vogël. Por ne jemi të guximshëm, sfidues dhe besnikë”, tha Daliq. “Ne gjithmonë do të japim gjithçka që kemi, veçanërisht me këtë brez lojtarësh”.

Portieri Dominik Livakoviq i priti tri penalltia në fitoren e Kroacisë ndaj Japonisë në 1/8 e finales, ndeshje që u luajt të hënën mbrëma. Koha e rregullt dhe dy vazhdimet prej 15 minutash, përfunduan 1:1. Kështu që fituesi dhe kalimi në çerekfinale u vendos nga pika e bardhë.

Livakoviq është nga qyteti i njëjtë, Zara, sikurse kapiteni 37-vjeçar i Kroacisë, Luka Modriq. Ai ishte portieri i dytë i Kroacisë në Botërorin e vitit 2018, në të cilin titullar ishte Danijel Subashiq. Mario Pashaliq, i cili shënoi penalltinë vendimtare për Kroacisë, ka bërë të njëjtën gjë për Milanin në fitoren ndaj Juventusit në Superkupën e Italisë në vitin 2016, ndeshje që po ashtu u luajt në Katar dhe ishte vendosur pas penalltive.

“Ne i kemi stërvitur penalltitë një ditë para ndeshjes dhe aty e kam parë Livakoviqin që ka pritur katër apo pesë penallti”, shtoi Daliq. “Kështu që nuk mendoj se ky është fat. Është forcë mentale, është karakter dhe guxim”.

Kroacia arriti ta mposhtë dhe eliminojë Japoninë, ndonëse ishte në disavantazh. Japonezët shënuan në fund të pjesës së parë, përpara se kroatët të barazonin në të dytën. Kjo nuk është diçka e re për Kroacinë, e cila në Botërorin e vitit 2018 në secilën ndeshje të fazës eliminuese ishte në disavantazh.

“Kjo tregon vullnetin, përkushtimin dhe besimin e të gjithë ekipit. Është një gjë tjetër të luash për klubin – është çështje kontratash, është çështje prestigji. Por është një gjë krejtësisht tjetër ta përfaqësosh vendin tënd, sepse ky është patriotizëm, është krenari, është emocion, pra është ndryshe”, insistoi trajneri Daliq. “Jam shumë i lumtur dhe krenar që kam lojtarët që reagojnë në atë mënyrë sikurse ndaj Japonisë. Kështu ata vetëm tregojnë karakterin e fortë që e kanë”.

Dueli mes Kroacisë dhe Brazilit zhvillohet të premten prej orës 16:00 në “Education City Stadium”.