Hakan Yakin është vëllai i selektorit të Zvicrës, Murat Yakin. Hakan Yakin i ka luajtur 87 ndeshje për Zvicrën, ndërsa ka pasur karrierë të mirë si lojtar. Tani është trajner. Një kohë ka punuar si ndihmës i Murat Yakinit, ndërsa aktualisht drejton Schaffhausenin e kategorisë së dytë zvicerane.
Hakani e njeh shumë mirë punën e selektorit të Zvicrës, ndërsa ka lënë të kuptohet se Xherdan Shaqiri nuk ishte i lënduar për ndeshjen me Brazilin, porse Murat Yakin e ka pushuar atë për ndeshjen ndaj Serbisë.
Zyrtarisht, Shaqiri nuk ka luajtur për Zvicrën ndaj Brazilit për shkak të një shqetësimi në kofshë. Por Hakan Yakin ka mendim tjetër.
“Ishte qëllimi të mos humbet ndeshja. Muri (Murat Yakin) ka dashur të mbrohet në mënyrë kompakte. Shaq (Shaqiri) është njeri për momente të veçanta në ofensivë, siç e ka treguar edhe njëherë në mënyrë impresive ndaj serbëve”, ka thënë Hakan Yakin në një intervistë për “Blick”, të publikuar të dielën.
Shaqiri shënoi golin e parë ndaj Serbisë dhe nisi aksionet për të dy golat e tjerë. Ai ka shënuar në tre Botërorët e fundit, ndërsa këtë e kanë arritur vetëm edhe Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.
Hakan Yakin ka folur edhe për Granit Xhakën dhe e ka krahasuar kapitenin e Zvicrës me veten.
“Muri do të ketë mirëkuptim për reagimet e Xhakës (në ndeshjen ndaj Serbisë) pasi ai më njeh mua. Unë isha si Xhaka. Emocional dhe gjaknxehtë. Muri ishte shumë i matur dhe i qetë, edhe si lojtar”, ka thënë Hakan Yakin. “Ai e njeh Granitin dhe më njeh mua. E di se ndonjëherë themi gjëra për të provokuar. Muri di si të merret me lojtarë si Graniti dhe unë”.
Hakan Yakin e kupton veprimin e Xhakës, që u kap mes këmbëve pas provokimeve të vazhdueshme nga serbët.
“Nuk ishte mirë, por unë mund ta kuptoj atë. Presioni në Kupën e Botës, gjithë sytë të drejtuar kah ai, historia, provokimet e vazhdueshme. Më pas loja, duelet. Shumë gjëra janë bashkuar”, ka arsyetuar Xhakën, Hakan Yakin, një prej emrave të mëdhenj të futbollit në Zvicër.