Lionel Messi e regjistroi ndeshjen e 1000-të në karrierën profesionale si futbollist me një gol të shënuar në fazën nokaut.
Argjentina të shtunën fitoi me rezultatin 2:1 ndaj Australisë, dhe është kualifikuar në çerekfinale të Botërorit.
Me këmbën e tij të majtë dhe të famshme, Messi gjuajti fuqishëm e saktë në minutën e 34-t dhe shënoi golin e tretë në turneun e këtij viti në Katar. Për të ishte goli i nëntë gjithsej në Kupën e Botës. Tani ka një gol më shumë të shënuar sesa legjenda e futbollit argjentinas, Diego Armando Maradona.
Julian Alvarez shfrytëzoi gabimin e portierit të Australisë, Mathew Ryan, në minutën e 57-të, për ta dërguar topin në rrjetën e portës së zbrazët. Ishte goli i dytë i Argjentinës, që në çerekfinale do të luajë kundër Holandës.
Australianët shënuan në minutën e 77-të me Craig Goodwinit që gjuajti, por topi u devijua nga Enzo Fernandez.
Australia me shumë lojtarë të panjohur ishte kualifikuar deri në fazën nokaut të Botërorit. Ishte vetëm hera e dytë për Australinë që mbërrin deri në këtë fazë të një gare të Botërorit.
Australia ishte mposhtur edhe në vitin 2006 në një të tetën e finales nga Italia, që në fund fitoi trofeun e çmuar.
Për Argjentinën mund të jetë një shenjë e rikuperimit të tërësishëm pas disfatës befasuese nga Arabia Saudite në ndeshjen hapëse. Tani ka tri fitore të njëpasnjëshme.
Sa i përket Messit, ai tani ka 789 gola në karrierë. Kjo shifër e golave mund të rritet deri më 18 dhjetor, kur edhe zhvillohet finalja e këtij viti.
Messi me Argjentinën po shpreson ta fitojë trofeun më të çmuar, atë të Kupës së Botës, në tentimin e tij të pestë.
Australia ngushton rezultatin
Australia ka ngushtuar rezultatin ndaj Argjentinës në 2:1.
Realizoi Craig Goodwin në minutën e 77-të pas një devijimi nga mbrojtësit argjentinas.
Gabim amatoresk i portierit, Argjentina shënon të dytin
Julian Alvarez në minutën e 57-të ka shfrytëzuar një gabim të portierit të Australisë, Mathew Ryan, dhe ka shënuar golin e dytë për Argjentinën në këtë Kupë të Botës.
Argjentina po udhëheqë ndaj Australisë 2:0 dhe është në prag të kalimit në çerekfinale të Botërorit.
Argjentina në epërsi pas pjesës së parë falë Messit
Argjentina e ka mbyllur pjesën e parë me avantazh të një goli ndaj Australisë.
Lionel Messi realizoi gol të bukur në minutën e 35-të.
Mesiiiii, Argjentina në epërsi
Argjentina ka kaluar në epërsi ndaj Australisë në një të tetën e finales së Botërorit në Katar.
Messi në minutën e 35-të, pavarësisht hapësirës së ngushtë, gjeti hapësirën e duhur për të gjuajtur në portë për epërsinë e Argjentinës.
Ishte goli i parë i tij në fazën nokaut të një botërori dhe i treti në Katar.
Fituesi i këtij dueli luan ndaj Holandës në çerekfinale.
Nis ndeshja Argjentina – Australia
Ka nisur ndeshja e vlefshme për fazën e një të tetës të finales në Kupën e Botës mes Argjentinës dhe Australisë.
Takimi po luhet në stadiumin “Ahmad bin Ali”.
Fituesi i kësaj ndeshje luan me Holandën në çerekfinale.