Një tjetër Kupë Bote, një tjetër dështim. Gjermania po përballet me një tjetër raund të kërkimit të shpirtit, pasi u eliminua nga faza grupore për të dytën herë rresht.
Lojtarët gjermanë folën për paraqitje të mira dhe shanse të humbura – siç kanë bërë më parë. Por askush nuk kishte ndonjë përgjigje reale për problemet e ekipit.
“Këtu janë 25 ekspertë që qëndrojnë së bashku. Ju të gjithë mund të këshilloni njëri-tjetrin dhe më pas të bini dakord për disa detaje”, tha sulmuesi Thomas Mueller pasi Gjermania u eliminua nga turneu në Katar pavarësisht fitores 4:2 ndaj Kosta-Rikës të enjten mbrëma. Fati i Gjermanisë u vendos kur humbi ndeshjen e parë me Japoninë, 2:1, përpara se të barazonte 1:1 kundër Spanjës. Kjo e la Gjermaninë në fund të Grupit D dhe të varej nga një favor prej Spanjës, i cili nuk erdhi.
Spanjollët u mposhtën nga Japonia që përfundoi e para në grup, ndërsa në 1/8 u kualifikua edhe Spanja për shkak goldallimit më të mirë se Gjermania.
“Unë kurrë nuk varem nga një ekip tjetër”, tha trajneri i Gjermanisë, Hansi Flick. “Mendoj se në fund të gjithë kontribuuan nga pak në eliminimin tonë. Ne nuk shfrytëzuam të gjitha rastet që i patëm në tri ndeshjet dhe kjo na kushtoi”.
Ajo që Flick nuk e përmendi është se edhe Spanja humbi disa raste ndaj Gjermanisë, që arriti të barazojë në fund të ndeshjes me anë të sulmuesit Niclas Fuellkrug. Ai gol doli të jetë shumë i rëndësishëm për Gjermaninë, por që nuk mjaftoi për të kaluar grupin.
“Është një zhgënjim tejet i madh për ne. Nuk e kemi pritur të eliminohemi sërish në të njëjtën fazë. Tani na mbetet të mblidhemi dhe të diskutojmë se si të dalim nga kjo situatë”, pranoi presidenti i Federatës së Futbollit të Gjermanisë, Bernd Neuendord, përpara se të kthehej në shtëpi me pjesën tjetër të ekipit nga aeroporti i Katarit të premten.
Neuendorf tha se do të takohet javën e ardhshme me Flickun, drejtorin sportiv Oliver Bierhoff dhe zëvendëspresidentin e ligës gjermane të futbollit Hans-Joachim Watzke për të diskutuar pasojat nga dalja e hershme nga Kupa e Botës. Drejtuesit e Gjermanisë janë nën presion për një përmirësim të dukshëm në performancën e ekipit, përpara se të presin Kampionatin Evropian 2024.
“Pritja ime nga menaxhmenti sportiv është që të bëjnë një analizë fillestare, një analizë sportive të këtij turneu, por gjithashtu të zhvillojnë perspektiva për kohën pas turneut me synimin për Kampionatin Evropian,” tha Neuendorf. “Kjo analizë duhet të përfshijë edhe zhvillimin e ekipit, të futbollit tonë, që nga viti 2018, që nga Botërori i fundit”.
Mueller nuk ishte në gjendje të shpjegojë rënien e ekipit që nga arritja në gjysmëfinale të “Euro 2016”.
“Ne nuk kemi qenë në gjendje të përmbushim pritjet në turne vitet e fundit”, pranoi ai.
Gjermania, fituese e Kupës së Botës 2014, u eliminua nga faza e grupeve në turneun 2018 në Rusi. Në Kampionatin Evropian të vitit të kaluar Gjermania u eliminua në raundin e dytë.
“Unë mendoj se me të vërtetë nuk mund të themi se ku jemi”, tha kapiteni i Gjermanisë, Manuel Neuer, për vendin e ekipit në futbollin botëror.
Përpara Kupës së Botës 2018, Gjermania kishte arritur të paktën në gjysmëfinale të çdo turneu të madh që nga Botërori i vitit 2006, të cilin e organizoi.
“Unë iu bashkova ekipit në vitin 2016. Gjermania ishte gjithmonë në gjysmëfinale para kësaj”, tha Joshua Kimmich. “Pastaj dalim nga Kupa e Botës dy herë në fazën e parë dhe vitin e kaluar në raundin e dytë të Kampionatit Evropian. Është e vështirë të pranohet kjo”.