Sport

Drita synon fitore edhe ndaj Prishtinës

Te skuadra e Dritës ka optimizëm se do të mbeten të pamposhtur edhe pas xhiros së 12-të në Superligën e Kosovës në futboll. Drita është lidere dhe ekipi i vetëm pa humbje në elitë. Ka tetë fitore e tri barazime.

Në kuadër të xhiron e 12-të të Superligës, Drita e pret Prishtinën në ndeshjen që, sipas sulmuesit Marko Simonovski, duhet fituar me çdo kusht.

Derbi i xhiros zhvillohet të mërkurën prej orës 13:00 në stadiumin me bari sintetik në Gjilan. Drita ka 27 pikë të mbledhura, 12 më shumë se Prishtina që renditet e katërta. Skuadra gjilanase do të jetë pa mbrojtësin e krahut të djathtë, Besnik Krasniqin. Ai do të mungojë shkaku i kartonit të kuq që e mori në ndeshjen e fundit ndaj Dukagjinit. Krasniqi iu bashkua Dritës para fillimit të këtij edicioni pikërisht nga Prishtina.

“Ne duhet ta fitojmë duelin me Prishtinën, edhe pse është i vështirë. Nëse duam të bëhemi kampion duhet të japim dhe ta marrim më të mirën, të fitojmë çdo lojë”, tha Simonovski.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka thënë se ekipi i tij është munduar të rikuperohet dhe përgatitet maksimalisht për ndeshje, ndonëse ka pasur vetëm tri ditë në dispozicion. Drita vikendin e shkuar triumfoi në udhëtim te Dukagjini (1:0) për ta regjistruar fitoren e radhës.

“Kishim vetëm tri ditë dhe jemi munduar që shumë shpejt t’i rikuperojmë forcat dhe ta përgatisim ndeshjen. Kundërshtarin e njohim sepse kemi zhvilluar një ndeshje me të dhe kam besim të plotë se do të jetë një klasike e vërtetë. Do të ketë futboll shumë kualitativ, gjithmonë duke iu referuar kualitetit të futbollistëve, si te njëra apo tjetra skuadër. Skuadra ime është komplet e fokusuar në ndeshjen e nesërme, duhet të jemi të disiplinuar dhe ta gjejmë formën për ta mposhtim skuadrën e Prishtinës. E dimë që nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi përballemi me një skuadër që realisht ka shumë cilësi”, tha Nuhiu.

Optimizmi nuk mungon as te skuadra e Prishtinës. Xhiron e shkuar Prishtina e mposhti në shtëpi skuadrën e Ferizajt (2:1) dhe drejt qytetit të Gjilanit udhëton maksimalisht e motivuar. Fitorja ndaj Ferizajt ishte e para për Prishtinën pas një serie prej tri humbjeve rresht.

Sulmuesi Leotrim Kryeziu, që shënoi dy golat në fitoren ndaj Ferizajt, beson se Prishtina do të kthehet nga Gjilani me pikë të plota.

Ndeshja e parë e këtij edicioni mes Prishtinës dhe Dritës nuk kishte dhënë gola.

“Ndeshjen kundër Dritës e vlerësojmë maksimalisht sepse kemi të bëjmë me një skuadër shumë të mirë dhe e cila po kalon formë shumë të mirë. Prishtina në çdo ndeshje synon fitore dhe shpresoj se edhe ndaj Dritës do të dalim me pikë të plota”, është shprehur Kryeziu. “Synimi personal është gjithmonë të shënoj gol, në çdo ndeshje. Andaj shpresoj se edhe në këtë takim do të realizoj dhe ta ndihmojë ekipin në arritjen e objektivit”.

Të mërkurën zhvillohet edhe një ndeshje tjetër. Skuadra e Ferizajt luan në shtëpi me Malishevën. Të dy skuadrat janë në krizë rezultatesh dhe do të mundohen ta shmangin pozitën e fundit në tabelë. Ferizaj zë vendin e fundit me tetë pikë të tubuara, sa i ka edhe Ferizaj në vend të parafundit.

Ferizaj, që së fundmi ka angazhuar për trajner kroatin Andrej Panadiq, pas largimit të Arbnor Morinës, nuk di për fitore në pesë ndeshjet e fundit. Edhe Malisheva ka “harruar” shijen e fitores. Në gjashtë duelet e fundit ka regjistruar katër humbje e dy barazime.

Të enjten do të zhvillohen dy ndeshje: Gjilani – Drenica, Ballkani – Trepça ’89.

Ndërkohë dueli mes Llapit edhe Dukagjinit do të luhet më vonë. Kjo ndeshje është shtyrë për shkak se Llapi të martën kishte lojë. E fitoi Superkupën reviale, “Kosovë-Diasporë”, duke triumfuar 3:1 ndaj FC Kosova Zuerichut.

Superliga – XII

E mërkurë (13:00)

Drita – Prishtina

Ferizaj – Malisheva

E enjte (13:00)

Ballkani – Trepça ‘89

Gjilani – Drenica

Llapi – Dukagjini (luhet më vonë)

1. Drita 11 8 3 0 24:8 27

2. Ballkani 9 7 1 1 14:6 22

3. Gjilani 11 5 3 3 12:12 18

4. Prishtina 10 4 3 3 12:10 15

5. Llapi 10 3 4 3 14:17 13

6. Drenica 11 3 3 5 12:16 12

7. Trepça ’89 9 2 4 3 20:19 10

8. Dukagjini 11 2 2 7 9:14 8

9. Malisheva 11 2 2 7 16:22 8

10. Ferizaj 11 1 5 5 10:19 8