Dy përfaqësueset me krenari të goditur do të përballen në “Wembley” të hënën. Anglia e pret Gjermaninë në kuadër të Ligës së Kombeve.
Anglia është e sigurt se do të përfundojë në fund të Grupit 3 të Ligës A dhe se do të largohet nga elita e Ligës së Kombeve, pas disfatës që pësoi nga Italia të premten.
Gjermania nuk mund të arrijë në turneun final të garës, pasi u mposht në shtëpi nga Hungaria.
Kjo disfatë e ndali serinë pa humbje të Hansi Flickut si përzgjedhës i Gjermanisë, që kur mori drejtimin e skuadrës nga Joachim Loewi, në korrik të vitit të kaluar. Humbja la në hije bilancin e tij.
Gjermania e mposhti Italinë 5:2 në muajin qershor dhe ishte fitorja e vetme në gjashtë ndeshjet e fundit. Nuk arriti që ta mbajë portën e paprekur në ndonjërën prej këtyre ndeshjeve.
Shqetësimi i Gjermanisë rritet edhe më shumë, sepse forma e Bayern Munichut në Bundesligë është përcjellë edhe në përfaqësuese, ku futbollistët si Thomas Muller dhe Serge Gnabry në veçanti kanë dështuar të shkëlqejnë kundër Hungarisë.
Gnabry u zëvendësua pas pjesës së parë. Kapiteni i Bayernit, Manuel Neuer, dhe mesfushori Leon Goretzka munguan në humbjen 1:0 në Leipzig, për shkak të infektimit me koronavirus.
Dyshimet kanë nisur të shfaqen në aftësinë e ekipit dy muaj para se Kupa e Botës të nisë në Katar, ani pse drejtori sportiv i Gjermanisë, Olivier Bierhoff, insiston se synimi ende mbetet triumfi në Botëror.
“Synimi mbetet”, ka thënë Bierhoff pas disfatës nga Hungaria. “Në rregull, pas kësaj ndeshjeje, çfarë mund të thuash? Por ne e nisim Botërorin nga zeroja”.
Bierhoffi e sheh ndeshjen e së hënës si mundësi të shpëtimit, mundësi për ta harruar humbjen nga Hungaria dhe revansh për humbjen që Anglia ia shkaktoi Gjermanisë në vizitën e fundit në “Wembley” –2:0 në 1/8 e finales në Kampionatin Evropian. Kjo e mbylli edhe periudhën 15-vjeçare të Lowëit në krye të Përfaqësueses gjermane.
“Ne duam që të korrigjohemi, ta gjejmë lojën tonë dhe ta fitojmë vetëbesimin”, ka thënë Bierhoff. “Duhet të kemi më shumë besim te vetja. Dhe një ndeshje si ajo kundër Hungarisë nuk ndihmon. Duhet të sigurohemi që të dalim para Anglisë dhe t’i zbatojmë gjërat që kërkon trajneri”.
Flicku ishte i vendosur në vikend që ta largojë presionin nga lojtarët, duke thënë se ishte faji i tij që nuk e ka gjetur përbërjen e duhur në ndeshjen kundër Hungarisë. Ai do të duhet të bëjë ndryshime në Londër, pasi të suspenduar e ka Antonio Ruedigerin. Nico Schlotterbeck i Borussia Dortmundit pritet ta zërë vendin e mbrojtësit të Real Madridit, në një prej shumë ndryshimeve në fazën defensive.
Thilo Kehrer dhe Robin Gosens mund t’i zëvendësojnë Jonas Hofmannin dhe David Raumin që nuk ishin efektivë.
Flicku, po ashtu, ka nevojë për përgjigje në fazën ofensive. Jamal Musiala dhe Kai Havertz mund të zënë vend titullari para Timo Wernerit, Leroy Sanes, Mullerit apo Gnabryt.
Anglia e udhëhequr nga Gareth Southgate është nën presion edhe më të madh, pasi ka pesë ndeshje pa fitore – është seria më e dobët e ekipit në tetë vjet. Anglia nuk ka shënuar gol nga loja e hapur për 495 minuta.
Southgate u pyet nëse kritikat e paraqitjeve të fundit kanë bërë që ai të dyshojë në aftësitë e veta.
“Jam me fat, por dhe i mërzitur që jam në të 50-at. Merrem me futboll tash e 30 vjet dhe shkoj me një apo tjetër formë në 12 turne, duke punuar me këta njerëz, duke hulumtuar, kështu që kam parë mjaft shumë gjëra”, ka thënë Southgate.
“Cikli i luftës dhe i dashurisë me media – ku ne jemi diku në mes, është një eksperiencë të cilën unë e kam ditur që në një pikë do të vinte me këtë punën tonë, kështu që unë duhet ta pranoj atë”.