Sport

Te Goettingeni i frikësohen atmosferës në “Minatori”: Është e jashtëzakonshme

Skuadra gjermane, Goettingen, është kundërshtare e Trepçës në çerekfinale të fazës kualifikuese të FIBA Europe Cup. Turneu i grupit A të fazës kualifikuese zhvillohet në palestrën “Minatori” në Mitrovicë prej të martës e deri të premten. Ndeshja Goettingen – Trepça është të martën nga ora 20:00.

Goettingeni vlerësohet favorit ndaj Trepçës që debuton në gara evropiane. Por te skuadra gjermane po i frikësohen atmosferës që pritet të krijohet në “Minatori”. Dhe përkrahjen e shikuesve e shohin si armë të fortë të Trepçës.

“Kemi më shumë kualitet se Trepça, por ajo ka përparësinë e vendases – është atmosferë e pabesueshme atje”, ka thënë trajneri i Goettingenit, Roel Moors. “Duhet të jemi shumë të motivuar. Nëse mendojmë se do të jetë lehtë ndaj ekipit nga Kosova, mund të kemi probleme”, ka shtuar trajneri i skuadrës gjermane.

Të martën fillimisht prej orës 17:00 luajnë Petrolina AEK i Qipros me Thor Thorlakshofn të Islandës. Fituesi i ndeshjes Goettingen – Trepça, të mërkurën në gjysmëfinale të fazës kualifikuese takohet me Sportingun portugez. Ndërkohë, fituesin e çiftit tjetër çerekfinal e pret Antwerp Giants i Belgjikës. Finalja është të premten.

Te Goettingeni synojnë që ta fitojnë turneun dhe të kualifikohen në fazën grupore të FIBA Europe Cup, që është niveli i katërt i garave kontinentale për klube.

“Sportingu është ekipi i mirë dhe po ashtu mund të jetë sfidë për ne. Por natyrisht se kemi shanse edhe ndaj kësaj skuadre. Nuk do të bëjmë shumë presion ndaj vetes. Lojtarët duhet të shijojnë paraqitjen për të shfaqur nivelin më të mirë të tyre. Na duhet niveli më i mirë për të fituar të tri ndeshjet”, ka shtuar Moors, që ka folur për sajtin zyrtar të Goettingenit.

Edhe kalimi në finale do të ishte i mjaftueshëm për Trepçën apo Goettingenin për t’u kualifikuar në fazën grupore. Kjo pasi disa skuadra që nuk ia dolën në Ligën e Kampionëve kanë vendosur të mos garojnë në FIBA Europe Cup.

Goettingeni kthehet në gara evropiane pas dhjetë vjetësh. Dhe për shumicën e lojtarëve të kësaj skuadre është hera e parë që do të garojnë në FIBA Europe Cup.

“Jemi të entuziazmuar pasi është nivel në të cilin nuk kemi luajtur më parë”, ka thënë kapiteni i Goettingenit, Harper Kamp. Ai luan në pozitën e qendrës. “Jemi të lumtur që e kemi këtë shans. Pres që të luajmë me shumë intensitet”, ka shtuar Kamp.

Trepça është fituese e Kupës së Kosovës dhe ka luajtur në finale të plejofit në edicionin e kaluar. Për edicionin aktual e ka kompletuar skuadrën me kohë dhe ka angazhuar basketbollistë cilësorë vendorë dhe të huaj. Skuadra mitrovicase ka startuar me tri fitore në edicionin aktual të Superligës në basketboll. Dy ndeshjet e para i luajti në shtëpi dhe palestra “Minatori” ishte e mbushur me shikues. Në fakt, interesimi për të parë ndeshjet e Trepçës në edicionin e kaluar dhe në edicionin aktual është shumë i madh. Se forca e Trepçës rritet me përkrahjen e madhe të tifozëve, janë të vetëdijshëm edhe në skuadrën gjermane.

Në FIBA Europe Cup pos Trepçës garon edhe Sigal Prishtina.

Prishtina starton prej gjysmëfinales në fazën kualifikuese dhe e pret fituesin e ndeshjes Kalev/Cramo (Estoni) – Cedevita Junior (Kroaci). Prishtina luan më 28 shtator. Ndeshjet e grupit të dytë kualifikues, ku bën pjesë Prishtina, luhen në Jonava të Lituanisë.