Pas paraqitjeve të mira në dy xhirot e para, ku mori dy pikë, skuadra e Trepçës ’89 po synon fitoren e parë këtë edicion në Superligë, në udhëtimin e vështirë te lideri aktual, Gjilani.
Dueli mes Gjilanit dhe 89-shit zhvillohet të shtunën prej orës 17:00 në stadiumin me bari sintetik në Gjilan dhe i takon xhiros së katërt të elitës së futbollit kosovar.
Gjilani në tri ndeshje të luajtura deri më tani ka tubuar shtatë pikë, pesë më shumë se ekipi nga Mitrovica, i cili ka një duel më pak të zhvilluar. Duelin e xhiros së tretë Trepça ’89 nuk e ka luajtur ende për shkak se Ballkani u përball me Shkupin në plejof të Ligës së Konferencës.
Në ndeshjet e luajtura deri më tani, me Dritën në shtëpi dhe me Llapin në udhëtim, Trepça ’89 ka barazuar me rezultatin identik, 2:2.
Kapiteni i Trepçës ’89, Ardian Muja, ka insistuar se do të udhëtojnë në Gjilan për pikë maksimale, ndonëse ka pranuar se nuk do të jetë aspak lehtë. Trepça ’89 këtë edicion është kthyer në Superligë pas një edicioni në Ligën e Parë, ku e fitoi titullin e kampionit në Grupin A.
“Kemi pasur paraqitje mjaft të mira në dy ndeshje të luajtura deri më tani, të cilat me pak fat kemi mundur edhe t’i fitojmë. Ne i respektojmë të gjitha skuadrat e Superligës, por në secilën ndeshje futemi për ta dhënë maksimumin dhe luftojmë për pikët e plota”, është shprehur Muja për KOHËN. “Kështu që edhe ndaj Gjilanit e kemi synimin e njëjtë, pavarësisht se është lider dhe ka treguar një formë të mirë në start. Nuk do të jetë lehtë, por ne jemi përgatitur mirë”.
Skuadra e Gjilanit barazoi në ndeshjen e fundit, pas dy fitoreve rresht që i pati në shtëpi. Luajti pa gola në udhëtim te skuadra e Drenicës.
Te Gjilani synojnë t’u kthehen fitoreve, e për më tepër në ndeshje si vendas, për ta mbajtur formën e mirë. Kështu ka insistuar sulmuesi i ekipit gjilanas, Mevlan Zeka. Ai ka thënë se i kanë parasysh paraqitjet e mira të Trepçës ’89 ndaj Dritës e Llapit, por se janë të gatshëm për fitore.
“Përballja me Trepçën '89 nuk do të jetë aspak e lehtë, duke parë edhe ndeshjet e mira që i kanë zhvilluar mitrovicasit deri më tani. Përkundër një orari të vështirë, me ç ‘rast po luajmë çdo të dytën ditë, ne synojmë që në këtë përballje të hyjmë të motivuar maksimalisht. Synojmë marrjen e maksimumit të pikëve”, është shprehur Zeka. “Atmosfera brenda grupit është mjaft e mirë, pavarësisht disa mungesave që kemi. Shpresojmë që në fund t'i gëzojmë tifozët tanë, të cilët i presim në numër të madh”.
Të shtunën zhvillohet edhe ndeshja ndërmjet Malishevës e Drenicës. Kjo ndeshje luhet në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë. Skuadra vendase në fushë futet pas fitores së parë që e regjistroi të mërkurën ndaj Ferizajt (3:1). Ndërkohë, Drenica ka vetëm një pikë pas tri ndeshjeve të zhvilluara.
Ndeshjet e tjera të javës së katërt zhvillohen edhe të dielën.
Pritet me interes dueli që luhet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë ndërmjet Llapit dhe Prishtinës.
Superliga – IV
E shtunë
Gjilani – Trepça ’89 (17:00)
Malisheva – Drenica (17:00)
E diel
Llapi – Prishtina (17:00)
Ferizaj – Drita (17:00)
Ballkani – Dukagjini (20:00)
1. Gjilani 3 7
2. Llapi 3 5
3. Drita 2 4
4. Prishtina 2 4
5. Malisheva 2 3
6. Ballkani 1 3
7. Trepça ’89 2 2
8. Dukagjini 3 1
9. Drenica 3 1
10. Ferizaj 3 1