Premier Leaguen, Ligën e Kampionëve, Kupën FA, Kupën e Ligës, Superkupën e UEFA-s dhe Botërorin e klubeve. Ai i ka fituar të gjitha.
Në moshën 23-vjeçare, Trent Alexander Arnold është jashtëzakonisht i suksesshëm. Mbrojtësi i Liverpoolit dhe i Anglisë është zhvilluar në njërin prej lojtarëve më të mirë të krahut të djathtë në Evropë, falë aftësive që rrallë shihen tek lojtarët në këtë pozitë. Megjithatë, larg fushës modestia ka bërë që ai të qëndrojë me këmbë në tokë, pavarësisht se është njëri prej lojtarëve kyç te Liverpooli, një prej ekipeve më të mira të futbollit në botë.
Ndërsa shumë lojtarë të moshës së tij fokusohen te jeta luksoze dhe shpenzimi i pasurisë në makina, shtëpi apo argëtim, fokusi i Alexander-Arnoldit është në shtëpinë ku është rritur. Ai mund të jetë idhull i qytetit të Liverpoolit, por ende jeton me prindërit të cilëve u ndihmon me larjen e pjatave dhe merr mësime që e ndihmojnë ta mbajë jetën e tij “të pastër dhe të shëndetshme”. Duke qëndruar me këmbë në tokë dhe i fokusuar, Alexander-Arnold ka arritur në nivelin ku është tani.
“Unë gjithmonë mendoj se lojtarët e rinj nguten. Ata sapo të fillojnë të paguhen mendojnë se mund të arrijnë gjithçka. Fillimisht duke dalë në shtëpinë e tyre, pastaj duke blerë veturë dhe duke u argëtuar. Megjithatë, kjo nuk është gjëja e duhur”, shprehet Alexander-Arnold. “Ambienti është tjetër kur jeton me prindërit, sepse ata të mbajnë në binarë dhe sigurohen që gjithçka të jetë e pastër. Po ashtu, të mësojnë t’i pastrosh edhe pjatat dhe shtëpinë. Duke qëndruar me prindërit, gjithmonë kam mbajtur këmbët në tokë dhe kam arritur këtu ku jam tani”.
Prejse e mban në mend, Alexander-Arnold thotë se ka qenë tifoz i Liverpoolit. Ai është rritur në shtëpinë që gjendet vetëm pesë minuta larg qendrës stërvitore të Liverpoolit dhe duke i shikuar çdo ditë idhujt e tij është dashuruar në këtë klub qysh në moshë të hershme.
Në festën dramatike të triumfit të Liverpoolit në Champions në vitin 2005, Alexander-Arnold ishte në mesin e mijëra tifozëve të klubit që dolën nëpër rrugët e qytetit për të mirëpritur futbollistët që ktheheshin nga Stambolli me trofeun e çmuar. Edhe pse ishte adhurues i madh, prezantimi i tij me klubin ishte krejt i rastësishëm. Në shkollën e tij kishte ardhur një ftesë nga Liverpooli për një mini-kamp stërvitor.
“Kur erdhën në klasë për të pyetur, të gjithë ngritën dorën. Kështu që u vendos me short të thërrasin vetëm disa prej nesh dhe për fat të mirë u ftova. Unë shkova me disa shokë të klasës dhe pas ndoshta 15 minutave, një skaut i klubit i tha nënës sime që të vazhdojë të më sjellë në stërvitje”, tregon Alexander-Arnold. “Pjesa tjetër është histori”.
Që kur bëri debutimin e tij me ekipin e parë në vitin 2016, Alexander-Arnold është shndërruar në një nga mbrojtësit më dinamikë në botë, duke u nxjerrë probleme kundërshtarëve me harkimet e tij të sakta. Transformimi i tij në prototipin e ri të mbrojtësit të djathtë - sulmues, fizik dhe i mirë me top - ishte një prej arsyeve kryesore që Liverpooli e fitoi titullin e kampionit të Anglisë në vitin 2020, i pari pas 30 vjetësh.
Në 161 paraqitjet e tij në Premier League, Arnold ka shënuar 10 gola, ka bërë 45 asistime dhe ka bilanc prej 114 fitoreve dhe vetëm 19 humbjeve. Edhe këtë edicion Liverpooli do të jetë një prej ekipeve favorite për triumf në Premier League, por pengesë mbetet Manchester City. Sezonin e shkuar City e rrëmbeu titullin para Liverpoolit për një pikë më shumë.
“City do të jetë rivali më i madh, por rivalë historikë të Liverpoolit do të vazhdojnë të mbesin Manchester Unitedi e Evertoni, pavarësisht rezultateve. City është ekipi më i mirë në Angli dhe në botë, kështu që do të jetë një garë e fortë të cilën tifozët do ta shijojnë”, ka pranuar Alexander-Arnold. “Ne jemi të motivuar edhe këtë sezon, por të pakta janë ekipet që kanë arritur t’i fitojnë katër tituj në pesë sezone sikurse City. Do të jetë vështirë, por nuk do të dorëzohemi deri në fund”.
Edhe pse sezoni i shkuar ishte i suksesshëm për Liverpoolin – triumfoi në Kupën FA dhe Kupën e Ligës – reprezentuesi i Anglisë nuk ka mbetur shumë i kënaqur. Ai thotë se është dashur të fitohen edhe dy trofetë tjerë, titulli i Premier Leagues dhe Liga e Kampionëve. Liverpooli në finale të Championsit pësoi nga Real Madridit. Ndeshja në Paris u shty për 35 minuta dhe tifozët e Liverpoolit patën telashe të futen në “Stade de France”. Alexander-Arnold thotë se kjo situatë ndikoi shumë tek ai dhe bashkëlojtarët.
“Ishte një situatë e paqartë për të gjithë. Vetëm pas përfundimit të ndeshjes e kuptuam të vërtetën dhe vështirësitë që i kishin pasur tifozët tanë. Kjo situatë ndikoi tek ne, por në fund jemi krenarë me paraqitjet që i patëm sezonin e shkuar”, shtoi ai. “Shpresoj që edhe ky edicion të jetë madhështor”.