Futboll

Arnoldi e konfirmon largimin nga Liverpooli

Trent Alexander-Arnold

Pasi e fitoi titullin e kampionit në Premier League, mbrojtësi anglez, Trent Alexander-Arnold, e ka konfirmuar largimin nga skuadra e Liverpoolit në fund të edicionit kur edhe i skadon kontrata. 

Arnoldi përmes një postimi në rrjetet sociale ka deklaruar se vendimi nuk ishte aspak i lehtë për t’u larguar. 

26-vjeçari Arnold karrierën pritet ta vazhdojë te gjiganti spanjoll, Real Madrid. 

“Pas 20 vitesh në Liverpool, tani është koha që unë të konfirmoj se do të largohem në fund të sezonit. Ky është vendimi më i vështirë që kam marrë ndonjëherë në jetën time. Kam qenë këtu për 20 vjet, kam shijuar çdo minutë, kam arritur të gjitha ëndrrat e mia, kam arritur gjithçka që kam dashur ndonjëherë këtu. Duke dhënë gjithçka ditë për ditë për 20 vjet, kam arritur në një pikë ku ndiej se kam nevojë për një ndryshim, një sfidë të re për mua si lojtar dhe si person”, është shprehur reprezentuesi i Anglisë. 

Arnold është zhvilluar si futbollist te Liverpooli. Pjesë e skuadrës së parë është nga viti 2016. Ai me “të kuqtë” ka fituar nëntë trofe. 

Me Liverpoolin ka zhvilluar 351 ndeshje. Ka kontribuar me 23 gola dhe 92 asistime.