Portieri i Blackpoolit, Daniel Grimshaw, ka pasur nevojë për oksigjen dhe më pas është dërguar me shpejtësi në spital, gjatë ndeshjes derbi me Prestonin.
24-vjeçari, ish-portier i Manchester Cityt, pësoi përplasje të rëndë të martën mbrëma në rangun e dytë të futbollit anglez në “Deepdale”.
Ndeshja u ndal për afër dhjetë minuta pas përplasjes me yllin e Prestonit, Cameron Archer.
Sulmuesi e goditi atë me gju dhe ndeshja u ndal menjëherë.
Stafi mjekësor i Blackpoolit hyri menjëherë në fushë, teksa portieri mezi lëvizte.
Grimshaw më pas u largua me barelë, ndërsa u duartrokit fort nga të pranishmit në stadium.
Ai u zëvendësua nga portieri Chris Maxwell.
Ndeshja ndërmjet Prestonit dhe Blackpoolit i takoi xhiros së 39-të të “Championshipit” anglez, dhe përfundoi me rezultatin 1:0 në të mirë të vendësve.