Sport

AGK-ja dënon vendimin për mbylljen e Kuvendit të FFK-së për gazetarët dhe mediat

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka dënuar vendimin e Federatës së Futbollit që Kuvendin zgjedhor ta mbajë pa gazetarë të pranishëm dhe pa praninë e të gjithë mediave.

Përmes një reagimi, AGK-ja ka thënë se arsyetimi i FFK-së për mungesë të hapësirës është i paqëndrueshëm.

“Arsyetimi i hapësirës është i paqëndrueshëm, pasi që ngjarje të ngjashme janë mbuluar edhe në të kaluarën nga të gjitha mediat e interesuara. Një mbyllje e tillë pamundëson raportimin profesional nga vendi i ngjarjes, për një ngjarje të rëndësishme dhe me interes publik. AGK-ja kërkon nga FFK-ja të rishqyrtojë vendimin dhe të lejojë gazetarët dhe mediat të kryejnë punën e tyre të papenguar”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Me vendim të FFK-së të martën, Kuvendi zgjedhor do të përcillet vetëm nga një transmetues.