Sport

Kiana Kryeziu mundëson që Kosova me ekip më të kompletuar të udhëtojë në Pekin

Vendi i 51-të në një garë të mbajtur të premten në Itali i ka mundësuar skitares Kiana Kryeziu të përmbushë edhe kriterin e fundit për normë për Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”. Me vendin e 51-të, Kryeziut i takuan 151.33 pikë të Federatës Ndërkombëtare të Skijimit (FIS). Për normë kriter ishte arritja e pesë rezultateve me më pak se 160 pikë. Në skijim sa më i mirë që është rezultati, numri i pikëve është më i vogël. Ndërsa për normë janë kërkuar pesë rezultate me më pak se 160 pikë, që për skitaret e nivelit më të lartë nuk është fare sfiduese.

Kështu Kosova për herë të parë në Lojërat Olimpike Dimërore paraqitet edhe me një skitare. Në Lojërat e kaluara ishte vetëm Albin Tahiri, ndërsa tani, përveç Tahirit, do të jetë edhe 17-vjeçarja Kryeziu.

Pra Kosova do të ketë ekip më të kompletuar. Të paktën do të përfaqësohet në të dy gjinitë, por ndonjë sukses i madh nuk pritet nga Tahiri e Kryeziu.

Normën e fituar nga Kiana Kryeziu, Komiteti Olimpik i Kosovës e ka vlerësuar historik.

“Skitarja Kiana Kryeziu fiton normën olimpike për Lojërat Dimërore ‘Beijing 2022’, disiplina e sllallomit të madh. Kiana bëhet femra e parë që do ta përfaqësojë vendin tonë në Lojërat Olimpike Dimërore”, ka shkruar KOK-u.

Moment të rëndësishëm e ka vlerësuar edhe Federata Skitare e Kosovës.

“Kiana Kryeziu shkruan historinë me garën e sotme dhe bëhet garuesja e parë nga Kosova që do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore. Me garën e sotme të FIS-it, që u organizua në Kronplatz të Italisë, Kiana konfirmoi normën olimpike për të pestën herë dhe kështu arriti qëllimin e FSK-së, KOK-ut dhe përfaqësueses sonë, e cila tani do të paraqitet në LOD me skitaren e parë”, ka shkruar FSK-ja.

Në Kronplatz, për ditën e dytë rresht, u mbajt gara në sllallom të madh. Kriterin për herë të katërt, Kiana e arriti të enjten, ndërsa të premten e arriti për herë të pestë dhe siguroi normën. Ajo ka arritur kriterin tri herë këtë muaj në Itali dhe dy herë muajin e kaluar në Mal të Zi. Bëhet fjalë natyrisht për kriter minimal për normë.

Garën e së premtes e fitoi amerikania Ava Sunshine Jemison me kohë prej 2:30.36 minuta, pas dy lëshimeve. Kiana ishte për 17.76 sekonda më e ngadaltë. Koha e saj pas dy lëshimeve ishte 2:48.21 minuta. E fundit prej skitareve që përfunduan të dy lëshimet ishte Arba Pupovci. Ajo ishte për 33.82 sekonda më e ngadaltë se fituesja.

E premtja është vlerësuar ditë e rëndësishme për skitarinë kosovare. Por edhe njëherë është konfirmuar se norma për Lojërat Olimpike Dimërore fitohet dukshëm më lehtë se për Lojërat Olimpike Verore.

Lojërat Olimpike Dimërore mbahen prej 4 deri më 20 shkurt.