Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

30 vjet nga themelimi i KOK-ut

Organizata kryesore sportive në vend, Komiteti Olimpik i Kosovës, ka shënuar të premten 30-vjetorin e themelimit. KOK-u ishte themeluar më 27 maj të vitit 1992. Ishte moment shumë i rëndësishëm në pavarësimin e sportit kosovar në fillim të viteve nëntëdhjeta.

KOK-u përmes një shkrimi në faqen zyrtare, ka kujtuar atë moment historik.

“Në objektin e Rilindjes në Prishtinë ishin mbledhur emra të njohur të sportit, kontribuues të mëdhenj, të cilët themeluan Komitetin Olimpik të Kosovës”, ka shkruar KOK-u.

Kryetar i parë i Komitetit Olimpik ishte zgjedhur Veton Surroi. Në kryesinë e parë të KOK-ut pos Surroit ishin edhe Behlul Brestovci (nënkryetar), Esat Stavileci, Aziz Salihu, Fahri Buçinca, Hysen Rakovica. Ishin zgjedhur edhe organe tjera, kujton KOK-u.

“I falënderoj përzemërsisht të gjithë ata që morën guximin dhe u mblodhën për të themeluan KOK-un, duke rrezikuar kështu edhe jetën e tyre nga regjimi serb, i cili me arrestime dhe burgosje të kontribuuesve të sportit tentonte të ndalonte çdo veprimtari tonën sportive. 27 maji i vitit 1992 është datë me rëndësi të veçantë për lëvizjen olimpike. Themelimi i KOK-ut hapi rrugën për shumë federata sportive të cilat nisën veprimtarinë e tyre të pavarur nga sporti i ish-Jugosllavisë”, ka thënë presidenti aktual i KOK-ut, Ismet Krasniqi.

Sporti i pavarur i zhvilluar në vitet 90-ta vlerësohet prej formave më efikase të rezistencës ndaj okupatorit serb.

Artikuj të ngjashëm