Më 25 mars i erdhi fundi periudhës së Besim Hasanit në krye të Komitetit Olimpik të Kosovës. KOK-u shpesh identifikohej me Hasanin e Hasani me KOK-un. Lidhja e tyre zgjati për një çerek shekulli. Besim Hasani ishte në krye të organizatës olimpike të vendit që nga viti i largët 1996. Pra, plot 25 vjet ishte kryetar i KOK-ut. Në kohën sa Hasani ishte president, KOK-u u pranua në IOC. Ai ishte në krye të organizatës edhe kur Kosova e fitoi medaljen e parë olimpike. Majlinda Kelmendi fitoi të artën në Rio 2016.
Hasani për shumë vjet vlerësohej i paprekshëm në KOK dhe u kishte mbijetuar shumë palë zgjedhjeve. Por Ismet Krasniqi fitoi garën për kryetar të KOK-ut këtë vit. Ndonëse pa ndonjë ndikim direkt, Krasniqi do të mburret që në kohën e tij Kosova ka fituar dy medalje të arta olimpike.
Besim Hasani vlerësohet për kontributin për lëvizjen olimpike. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i ndau çmim të madh, ndërsa KOHA e nderoi me Mirënjohje të Veçantë. Ai synon kthimin në krye të KOK-ut. Po punon për këtë.