Sport

Llapi synon ta ndalë Gjilanin

Trajneri Tahir Batatina ka insistuar se Llapi pa diskutim është ekipi me formën më të mirë aktuale në Superligë. Formën e lartë, Batatina pret që Llapi ta tregojë edhe kundër skuadrës së Gjilanit.

Ndeshja mes Llapit dhe Gjilanit është derbi i xhiros së 16-të të Superligës së Kosovës në futboll, xhiro që nis të shtunën dhe përfundon të hënën. Derbi zhvillohet të dielën, prej orës 13:30, në stadiumin me fushë të papërshtatshme në Merdarë.

Llapi në këtë takim futet në mes të formës së lartë që po e kalon, ku ka katër fitore në katër ndeshjet e fundit. Kjo formë e mirë e ka ngritur Llapin në pozitën e katërt në tabelë me 24 pikë të mbledhura, vetëm katër më pak se Gjilani që është lider. Në duelin e parë mes këtyre dy skuadrave të luajtur në fund të shtatorit në Gjilan patën triumfuar vendasit me rezultatin 2:1.

Batatina pret rezultat pozitiv dhe përballjen me Gjilanin e vlerëson sikurse çdo tjetër në elitë. Ai thotë se Llapi është i qetë.

“Nuk diskutohet që në këtë takim futemi për rezultat pozitiv, pasi jemi skuadra me formën më të mirë në Superligë, gjë që e kemi dëshmuar me katër fitore rresht. Takimit me Gjilanin do t’i qasemi sikurse çdo takimi tjetër dhe jo sikurse ndonjë i veçantë. Ne po luajmë dhe po rritemi nga ndeshje në ndeshje, gjë që është e rëndësishme”, është shprehur Batatina. “Ne jemi të qetë për shkak se nuk e kemi me çdo kusht të bëhemi kampionë dhe as të luftojmë me çdo kusht për vendin e parë në tabelë. Me rëndësi është të jemi në mesin e katër skuadrave të para në Superligë dhe gjatë rrugës të shohim si po shkojnë gjërat, përpara se ta shfrytëzojmë situatën”.

Gjilani po ashtu ka treguar formë të mirë. Nuk di për humbje në nëntë ndeshjet e fundit, ku ka regjistruar pesë fitore e katër barazime. Në xhiron e fundit, Gjilani fitoi 1:0 në derbin kundër Dritës për të bërë një shkëputje të vogël në tabelë. Kryeson me 28 pikë, një më shumë se Ballkani që është i dyti dhe tri më shumë se Drita që ka rënë në pozitën e tretë. Triumfi ndaj Dritës i ka motivuar lojtarët e Gjilanit që ta synojnë fitoren edhe në udhëtim ndaj Llapit, ka insistuar Muhamed Useini. Ai ka thënë se Gjilani e ka mision ta mbajë pozitën e parë në tabelë edhe pas këtij takimi.

“Vijmë nga një fitore e rëndësishme siç është ajo në derbi dhe natyrisht se motivi është i madh edhe për duelin e radhës, pasi që duam vazhdimësi. Presim një ndeshje të vështirë pasi që Llapi ka një skuadër kualitative dhe është në formë tejet të mirë pasi që vjen nga disa fitore radhazi”, ka thënë Useini. “Ne udhëtojmë drejt Podujevës me motivin më të madh të mundshëm dhe natyrisht mbajtja e pozitës së parë është një ‘mision’ për ne. Shpresojmë që me angazhim maksimal dhe një luftë të madhe në fushë edhe do ta arrijmë një gjë të tillë”.

Kjo xhiro hapet të shtunën me ndeshjen ndërmjet Ulpianës dhe Prishtinës që luhet në Lipjan, ndërsa mbyllet të hënën me duelin që zhvillohet në Gjilan, ku skuadra e Dritës e pret Dukagjinit.