Një yll i vogël është vendosur para emrit të Toni Domgjonit në listën e Kosovës për ndeshjet e tetorit, të publikuar të premten në sajtin zyrtar të Federatës së Futbollit të Kosovës. Nën listë, në formë fusnote tregohet që “Toni Domgjoni është në pritje të kompletimit të lejes nga FIFA për ta ndërruar kombëtaren dhe për të luajtur për Kosovën”.
Pra Federata e Futbollit e Kosovës, me të drejtë, ka treguar se Toni Domgjoni, ndonëse është në listën e selektorit Bernard Challandes, nuk e ka ende të drejtën e lojës për Kosovën. Është një informatë e vlefshme për emrin e vetëm të ri në listën e Challandesit.
FFK-ja, përkatësisht përgjegjësit e përfaqësueses A të Kosovës, mund të kenë mësuar nga lëshimi që u bë lidhur me Astrit Selmanin.
Selmani në tri ndeshjet e shtatorit qëndroi në stol, ndonëse nuk e kishte të drejtën e lojës. Ndeshja me Gjeorgjinë ishte zhvilluar më 2 shtator. Ndeshja me Greqinë ishte luajtur më 5 shtator, ndërsa ajo me Spanjën më 8 shtator. Në atë kohë sulmuesi Selmani nuk e kishte dekretin për shtetësi të Kosovës. Rrjedhimisht nuk e kishte pasaportën e Kosovës dhe të drejtën të luajë për përfaqësuesen. Nga FFK-ja, me gjithë kërkesën e KOHËS, nuk kanë dhënë shpjegime për atë rast jo të zakonshëm.
Selektori Challandes ishte pyetur në konferencat e rregullta për shtyp për aktivizimin e Selmanit. Kishte thënë se Selmani po punon mirë, porse nuk e di kur do t’i vijë rasti për të luajtur. Challandes nuk kishte treguar problemin e vërtetë, njëjtë si përgjegjësit. Madje edhe përfaqësuesit e lojtarit kishin fshehur faktin se në kohën kur ishin luajtur ndeshjet, Selmani ishte pa shtetësi të Kosovës.
Nga FFK-ja nuk kanë bërë të ditur se pse kanë vendosur ta mbajnë të fshehtë këtë fakt, duke e vendosur në situatë të palakmueshme selektorin e lojtarin. Ka pasur shumë komente, madje edhe fyerje për Challandesin në rrjete sociale, për faktin se ai nuk po e aktivizonte Selmanin, një sulmues që kalonte formë të mirë në kampionatin suedez.
Nga Presidenca e Kosovës kanë bërë të ditur për KOHËN se shtetësia për Selmanin është nënshkruar më 15 shtator. Pra pas tri ndeshjeve kualifikuese për Botëror të muajit të kaluar. Ka pasur telashe me dokumentacion dhe për këtë arsye presidentja Vjosa Osmani e kishte të pamundur nënshkrimin e shtetësisë për Selmanin më herët.
“Dekreti për dhënien e shtetësisë për z. Astrit Selmani është nënshkruar më 15 shtator 2021. Pra një ditë pasi që është dorëzuar (dokumentacioni v.j.)”, thuhet në një përgjigje me shkrim të Presidencës. “Dosja e z. Selmanit kur është dorëzuar nga FFK-ja ka qenë e pakompletuar. Dhe në momentin kur janë dorëzuar të gjitha dokumentet e kërkuara me ligj, është lëshuar dekreti për fitimin e shtetësisë së z. Selmanit”.
Selmani është përfshirë në ekipin e Kosovës për ndeshjet me Suedinë (9 tetor) dhe me Gjeorgjinë (12 tetor). Tani më ai e ka shtetësinë e Kosovës dhe me gjasë edhe pasaportën e Kosovës.
Selmani është i vetmi në listë, pa llogaritur Domgjonin, që nuk ka luajtur ende për “Dardanët”. Challandes për dy ndeshjet kualifikuese të Botërorit nuk do të mund të llogaritë në lojtarë të rëndësishëm si Valon Berisha, Arbër Zeneli, Hekuran Kryeziu, Idriz Voca, Benjamin Kololli, Edon Zhegrova. Berisha e Zeneli janë të lënduar. Kololli po luan në Japoni, ndërsa Zhegrova vetëm të enjten është kthyer nga një lëndim. Ndërkohë Kryeziu e Voca janë pa skuadra.
Jo të gjithë të përfshirët në listë luajnë në nivele të larta. Për shembull, Besar Halimi po ka telashe me aktivizim në ligën inferiore të Letonisë. Bersant Celina është në kategorinë e tretë angleze, ndërsa Herolind Shala është në kategorinë e dytë të Turqisë. Edhe prej atyre që janë në nivele më të larta ka që po aktivizohen fare pak. Apo aspak. Dhe kjo vlerësohet dëshmi që Kosova megjithatë nuk ka numër shumë të madh lojtarësh në nivel të mirë evropian, gjë që është proklamuar për kohë të gjatë.