Sport

Fernandes, “hat-trick” në fitoren e Unitedit kundër Leedsit

Bruno Fernandes shënoi “hat-trickun” e parë me skuadrën e Manchester Unitedit.

Skuadra e drejtuar nga Ole Gunnar Solskjaer me lehtësi fitoi përballë rivalit të vjetër Leedsit në xhiron e parë të Premier Leagues dhe e nis në mënyrë të përkryer sezonin e ri. Unitedi fitoi me rezultatin 5:1 të shtunën gjatë ditës.

Portugezi e hapi serinë e golave pas gjysmë ore lojë në “Old Trafford”.

Megjithatë, gjuajtja e fuqishme e Luke Ayling i dha barazimin Leedsit tre minuta pasi nisi pjesa e dytë.

Mason Greenwood e riktheu avantazhin në minutën e 52-t, e dy minuta më pas, realizoi sërish Fernandes për 3:1.

Pas një ore lojë, 26-vjeçari portugez e kompletoi tregolëshin pas asistimit të Victor Lindelofit.

Rezultatin final 5:1 e vendosi mesfushori Fred. Fred u asistua nga mesfushori Paul Pogba, për të cilin në këtë duel, ishte asistimi i katërt.