Trajneri i futbollit, Bekim Shotani, ka thënë se Arbërisë sivjet i është bërë e padrejtë. E padrejtë sipas tij, i është bërë edhe skuadrës së Trepçës ’89 dhe Ballkanit.
“Arbëria, Trepça ’89 dhe Ballkani janë penalizuar këtë vit në Superligën e Kosovës me gabime në referim dhe faktorë tjerë. Nuk janë përkrahur mjaftueshëm. Nëse i analizojmë 36 xhiro, këto skuadra kanë 6 pikë më pak. Nëse jo gjashtë, katër patjetër. Arbëria do t’i kishte 44 pikë dhe nuk do të rrezikohej. Edhe te Trepça ’89 do t’i kishte minimum 5 pikë më shumë. 47 pikë në total. Gabimet e referëve po ndikojnë. Nëqoftëse në kafe apo restorante diskutohet 7-8 xhiro më herët kush është vendi i parë, i dytë dhe i tretë, nuk është joshëse. Kemi katër faza nga 9 xhiro, faza e katërt, joprofesionale, jo stabile, jo vlerësuese. Gjithçka është në koalicion, matematikë. 5-6 xhiro pa përfunduar kampionati dihen tri vendet e para, Kupa, dhe Arbëria bie nga liga. Pse duhet të pretendohet që do të bie nga liga. Ne jemi mësuar të gjitha kampionateve të parregullta t’u themi të rregullta dhe po përsëriten. Nëse çdo kampionat cikli i katërt i garës është matematikë, nëse ata në kafiteri e dinë më mirë se ne që jemi analistë, njohës të futbollit, lojtarët, atëherë ose ata janë shumë të dijshëm ose ne nuk dimë”, tha Shotani.
Ai e ka vlerësuar punën e madhe që është bërë te skuadra e Arbërisë.
“Faktori negativ te Arbëria ka qenë mungesa e fushës. Presidenti i Arbërisë ka bërë punë të madhe, e ka dërguar skuadrën në Antalia për përgatitje. Ka sjellë përforcime në janar dhe ka pasur trajnerë profesionistë në krye me Arbnor Morinën, por i ka munguar finalizimi dhe mungesa e përvojës”, përfundoi ai në emisionin “Sporti Total” në KTV.