Sport

Prishtina mezi arriti në plejof, por tani kërkon suksesin

Pasi siguruan plejofin në xhiron e fundit të pjesës së rregullt të Superligës së Kosovës në basketboll, te Sigal Prishtina po kërkojnë dukshëm më shumë. Synimi fillestar i Prishtinës është që plejofin ta nis me fitore dhe të bëjë një hap drejt kualifikimit në gjysmëfinale.

Prishtina vikendin e shkuar e siguroi pozitën e pestë në tabelë, që i mjaftoi për t’i vazhduar garat në plejof. Në serinë çerekfinale të plejofit, Prishtina do të përballet me Pejën, që doli e katërta. Ndeshja e parë do të zhvillohet në palestrën “Karagaçi” në Pejë dhe Prishtina paralajmëron se do të udhëtojë për fitore. Ky takim luhet të dielën prej orës 17:00. Ekipi që shënon dy fitore do të kualifikohet në gjysmëfinale të plejofit ku e pret dueli me Ponte Prizrenin, liderin e pjesës së rregullt.

Gjatë pjesës së rregullt të edicionit, Peja është treguar më efikase përballë Prishtinës. Ka shënuar tri fitore dhe ka pësuar një humbje në katër duele të luajtura. Prishtina ka pasur rezultate të dobëta në kampionat por jo në garat tjera pasi ka triumfuar në Superkupë dhe në garën për Kupë të Kosovës. Trajneri i Prishtinës, Ljupço Malinkov beson se ekipi i tij mund ta nisë plejofin me fitore. Prishtina në plejof do të jetë pa reprezentuesin e Shqipërisë, Daniel Lekndreaj që është larguar nga ekipi për arsye personale.

“Do të jetë një seri e ndeshjeve të forta, pasi përballë kemi një ekip cilësor si Peja. Mirëpo, ne do të udhëtojmë me synime të qarta, të japim maksimumin, pasi e kemi analizuar mirë rivalin. Nëse aplikojmë lojën për të cilën merremi vesh, atëherë kemi gjasa të mira për të fituar. Besoj në ekipin tim dhe do të udhëtojmë për të treguar një paraqitje të mirë”, ka thënë Malinkov.

Edhe Peja ka gjasa të mos jetë e kompletuar për këtë ndeshje. Mbetet të shihet nëse kapiteni Dardan Berisha është rikuperuar nga lëndimi që e pësoi në mesjavë në turneun e Ligës Unike të mbajtur në Durrës. Peja përfundoi e dyta në këtë garë pasi u mposht në finale nga skuadra e Golden Eagle Yllit. Krahas Berishës, në dyshim te Peja është edhe qendra Lis Shoshi. Megjithatë, trajneri Dragan Radoviq beson se ekipi i tij do të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë çerekfinale.

“Shpresoj të jemi të kompletuar pasi telashet me lëndime kohët e fundit janë bërë të padurueshme edhe për shkak të orarit të ngjeshur. Mirëpo, jemi munduar të bëhemi gati pas Ligës Unike dhe nuk do të jetë aspak një përballje e lehtë me Prishtinën që është një ekip i fortë dhe me traditë. Pavarësisht se cili prej lojtarëve do të jetë i gatshëm, mendoj se duhet të tregojmë vlerat tona dhe ta fitojmë këtë ndeshje në mënyrë që të jemi më të sigurt për duelet tjera që mund të na presin”, është shprehur Radoviq. “Besoj se mund të bëjmë një hap drejt avancimit në gjysmëfinale, por mbetet të shihet sepse Prishtina është ekip që nuk duhet nënçmuar për asnjë moment dhe nuk e meriton pozitën aktuale”.

Të dielën prej orës 20:00 do të zhvillohet edhe dueli tjetër çerekfinal. Në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, skuadra e Golden Eagle Yllit e pret Bashkimin. Ylli pjesën e rregullt e ka mbyllur në pozitën e tretë derisa Bashkimi ishte i gjashti. Fituesi i kësaj serie në gjysmëfinale do të përballet me Rahovecin. Edhe Rahoveci sikurse Ponte Prizreni është kualifikuar direkt në gjysmëfinale pasi pjesën e rregullt e ka mbyllur në pozitën e dytë.

Ylli do të futet i motivuar ndaj Bashkimit pas triumfit në turneun e Ligës Unike. Në katër duelet e pjesës së rregullt, Ylli ka tri fitore përballë një disfate ndaj Bashkimit.

“Shpresoj që edhe në plejof të vazhdojmë me këtë formë. Kam besim të madh në ekip edhe pse në plejof na pret një punë shumë më e vështirë. Mirëpo unë besoj se mund të jemi edhe më të fortë në këtë fazë të garave”, është shprehur trajneri i Yllit, Adis Beçiragiq.

Ndërkohë te Bashkimi kanë pranuar se Ylli mund të jetë favorit por kanë paralajmëruar se nuk do të udhëtojnë në Suharekë me “flamur të bardhë”.

“Mbi të gjitha pres të tregojmë një paraqitje të mirë dhe me karakter. Si trajner asnjëherë nuk dorëzohem dhe nuk e kam ndërmend as këtë herë, por do të varet shumë edhe prej lojtarëve dhe atmosferës që mbretëron në ekip. Jo vetëm prej kësaj ndeshjeje, por prej komplet serisë kundër Yllit pres një rivalitet të madh sportiv dhe pastaj në fund le të shkojë më i miri tutje”, ka thënë trajneri i Bashkimit, Franko Sterle.